image Përfitimet nga meçi – Prenga trashi kuletën me 1.1 milionë euro, Joshua me 4.6 milionë

Sporte Luftarake

Përfitimet nga meçi – Prenga trashi kuletën me 1.1 milionë euro, Joshua me 4.6 milionë

news image

Anthony Joshua i dha fund mungesës shtatëmuajore nga boksi profesionist me një fitore me nokaut në raundin e dytë ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, në duelin e zhvilluar në Jeddah Superdome të Arabisë Saudite.

Përballja nuk u komentua vetëm për rikthimin e britanikut në ring, por edhe për shumat marramendëse që dy boksierët dyshohet se përfituan.

Edhe pse pagesat zyrtare nuk janë bërë publike, disa raportime bëjnë të ditur se fondi total i kësaj ndeshjeje ishte rreth 5.7 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave, Anthony Joshua përfitoi rreth 4.6 milionë euro, ndërsa Kristian Prenga arkëtoi afërsisht 1.1 milion euro, që përbën pagesën më të madhe të karrierës së tij.

Promotori amerikan Lou DiBella deklaroi se Prenga është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj mundësie financiare.

“Ai e di se ka goditur xhekpotin. Edhe një e dhjeta e kësaj pagese do të ishte më shumë se gjithçka që ka fituar gjatë gjithë karrierës së tij”, tha DiBella.

Joshua u rikthye në ring pas fitores ndaj Jake Paul në dhjetor të vitit të kaluar dhe pas aksidentit tragjik në Nigeri, ku humbën jetën dy miq të tij të afërt.

Ndërkohë, promotori Eddie Hearn ka konfirmuar se kjo përballje ishte pjesë e rrugëtimit drejt një dueli të shumëpritur me Tyson Furyn, i cili pritet të zhvillohet më vonë këtë vit.

Sipas raportimeve, përballja Joshua–Fury mund të sjellë fitime rekord për britanikun, me pagesa që mund të arrijnë në shifra nëntëshifrore falë investimeve të mëdha nga Arabia Saudite.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/