image Përçarja e shqiptarëve thellon problemet në Luginë

Kosovë

Përçarja e shqiptarëve thellon problemet në Luginë

news image

Mungesa e unitetit midis shqiptarëve në Luginën e Preshevës po i thellon edhe më problemet me të cilat përballet ky komunitet në pjesën jugore të Serbisë.

Nga tre deputetë, sa kanë pasur në legjislaturën e kaluar serbe, shqiptarët kanë përfunduar me asnjë – së paku tash për tash, nëse adresimi i disa ankesave nuk tregon ndryshe.

“Kjo gjendje do të na kthejë shumë kohë pas dhe do të na sjellë energji negative në ambientin tonë. Nuk do të ketë zhvillim ekonomik, nuk do të ketë prosperitet”, thotë Almin Shaqiri, nënkryetar i Komunës së Preshevës.

Presheva, së bashku me Medvegjën dhe Bujanocin, përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës – e banuar me shumicë shqiptare.

Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që janë mbajtur më 3 prill, përfaqësuesit e këtij komuniteti kanë garuar me dy lista zgjedhore, por për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në votime, asnjëra nga to nuk e ka kaluar pragun e nevojshëm për të hyrë në Kuvendin serb.

Në garë kanë qenë dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.

Kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ky prezantim i Kamberit ka qenë “provokues”.

Njohësi i zhvillimeve politike në Luginë, Belgzim Kamberi, i cili është edhe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, thotë se marrëdhëniet mes shqiptarëve në Luginë “kanë degraduar”.

Më herët, “ka pasur rivalitete të brendshme për politika lokale, por, në parim, ka ekzistuar një lloj uniteti karshi Beogradit zyrtar. Sot, kjo është e mjegullt”, thotë ai.

Sipas tij, partitë politike në Luginë duhet të hartojnë plane për ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në këtë zonë.

Kamberi thotë se për të përafruar qëndrimet mes tyre ndoshta do të duhet të ndërhyjë edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Nga këto dy qeveri nuk ka pasur deklarata publike në këtë drejtim, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë dy milionë euro për Luginën e Preshevës nga buxheti i vitit 2022.

Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë, që është bërë në vitin 2011.

Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, në Luginë janë të regjistruar rreth 70 mijë banorë shqiptarë.

Prej tyre, sipas organizatave joqeveritare dhe subjekteve politike lokale, rreth 20,000 kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.

Shqiptarët e Luginës, tash e sa kohë, janë ankuar për pasivizim të adresave të tyre dhe mosrespektim të të drejtave nga zyrtarët e Serbisë.

Pasivizimi i adresave “po ndryshon strukturën etnike në Luginën e Preshevës”, ka thënë Shaip Kamberi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në vitin 2020.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia, përmes pasivizimit të adresave, ua ka mohuar “6,000 shqiptarëve në Serbi të drejtën themelore për të votuar” në zgjedhjet e 3 prillit.

Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave.

Ankesa nga shqiptarët e Luginës ka pasur edhe për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, edhe pse një marrëveshje për to – midis Ministrisë së Arsimit në Serbi dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar – është raportuar në nëntor të vitit të kaluar.

Ankesa, po ashtu, ka pasur për mungesë të investimeve në Luginë, për ngecje në zhvillimin ekonomik dhe për mospranimin e diplomave universitare nga Kosova.

Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, thotë se në këtë “pasiguri kolektive”, partitë politike duhet t’i tejkalojnë ndasitë.

“Shkuarja në Parlamentin e Serbisë nuk nënkupton se do të zgjidheshin problemet e shqiptarëve, por kjo nënkupton se një zë i fuqishëm atje, sa më kumbues që mund të jetë, do të kërkonte më shumë zgjidhje dhe do të alarmonte faktorin ndërkombëtar për t’u interesuar më shumë për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thotë Mustafa.

Për disa, mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë nuk do të përbënte asnjë ndryshim.

“Edhe këta të deritashmit nuk kanë bërë asgjë” për zgjidhjen e problemeve thelbësore në Luginë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim në Preshevë, Kujtim Sadriu, duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në muajin prill.

/GazetaSinjali/