image "Përballemi kur s'je në uniformë...", ky është 34-vjeçari që u arrestua pasi e kërcënoi policin në Gjakovë

Siguri

“Përballemi kur s’je në uniformë…”, ky është 34-vjeçari që u arrestua pasi e kërcënoi policin në Gjakovë

news image

Zyrtarët policorë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare. Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në Gjakovë, ku një person është arrestuar pasi e ka kërcënuar një zyrtar policor në detyrë.

Sinjali mëson se personi i arrestuar është 34-vjeçari, Shpend Ahmeti.

34-vjeçari ka qenë pasagjer në një veturë të ndaluar nga Policia në një pikë kontrolli, ku ka refuzuar t’i zbatonte urdhrat nga polici i cili ia kishte kërkuar dokumentet për identifikim.

Më pas, ai e ka kërcënuar policin me fjalët “Na dy shihemi e përballemi kur s’je në uniformë, kur je civil…i ri je ti, të njoh unë ty…”.

Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë 17.10.2024, 21:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte refuzuar urdhrat e zyrtarit policor po ashtu të njëjtin e kishte kanosur. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, me vendim të Prokurorit, rasti është inicuar si “Kanosje”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/