Babai i Indrit Çelajt, teknikut të kondicionerëve që u vra me plumb në kokë në Tiranë, thotë se ngjarjen e ka marrë vesh 8 orë pasi ajo kishte ndodhur.
Ai tregon se e ka mësuar nga mediat atë që ka ndodhur. Për të, kjo është fatkeqësia më e madhe, që djali të niset për të punuar dhe të kthehet i vdekur. Megjithëse përmend disa herë drejtësinë, ai thotë se nuk ka çfarë i duhet më as ajo, meqenëse djalin nuk e ka më. Baftjar Çelaj shprehet se nëse do të kishte fuqi, nuk e di se çfarë mund të bënte kur ka shkuar në spital pasi e mori vesh për djalin. Ai tregon edhe bisedën me mjekët, ndërsa thotë se djalit i kishin marrë edhe dokumentet
“Kur vajta në spital e mbajta veten, se sikur të kisha fuqi nuk di se çfarë mund të kisha bërë. Po tani kujt t’ia kërkoj drejtësinë? Të vesh te gjykatësi, do lekë, te polici hajdut, kriminel, do lekë. Shko te politikanët, më keq, se i kam provuar. Kush e zgjidh këtë? Të tërë këta janë të ndyrë. I kam vajtur në zyrë Skënder Gjinushit kur ka qenë kryetar Kuvendi, Kastriot Islamit, që ka qenë deputet këtu në zonë. Vijnë kërkojnë vota këtu dhe pastaj asgjë. Tani hajde ta zgjidhin. Po edhe sikur të bëhet drejtësi, ç’e dua kur djali më iku? Më kanë lënë dhe pa drita, pa punë. Më hoqën edhe gruan nga puna këta. Tani djali më ikën. Mori rrugët e Shqipërisë, pa garanci, pa gjë. Ja më iku djali mua tani. Nuk ishte djalë dosido. Djali 25 vjeç, dy metër dhe i edukuar. Këtu është fashizëm. Këtu është kush të zhvatë më shumë. Janë fashistë ata që e kanë drejtuar këtë vend në këto 30 vitet e fundit. Kriminelë ndaj popullit dhe ndaj gjithë këtij vendi. Kjo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë as hasmit. Kjo është fatkeqësia më e madhe, të nisesh për punë dhe të kthehesh i vdekur”.
Çelaj rrëfen për tronditjen që përjetoi, kur nga mediat e mësoi se i ishte vrarë i biri.
“E kam marrë vesh nga gazetat. Djali më është vrarë në orën 11:00 paradite, unë e kam marrë vesh në orën 19:00 të darkës. Se djalit ia kishin marrë edhe dokumentet. I ka marrë kush i ka marrë, po ai mjeku atje më tha që djalin e kishte çuar aty Policia dhe se mjekët kishin bërë punën e tyre. Djali ka qenë në punë në Tiranë. Rregullonte kondicionerët. Ka mbaruar Elektriken dhe montonte kondicionerët. Asnjë konflikt nuk ka pasur, me askënd. Djali ka qenë me kulturë dhe i sjellshëm, që nuk gjen djalë si ai. Jo se është djali im, por rrallë gjen një djalë si djali im. Jo këtu, por mund të them edhe në Shqipëri. Djalë me edukatë, nuk dinte të ofendonte, as mes shokësh, por as njërin, as tjetrin”.
I rënduar nga dhimbja për vrasjen e të birit, Çelaj thotë se nuk ka besim në drejtësinë dhe se më nuk i intereson më asgjë pas humbjes së djalit.
“Nuk më intereson mua kush e bëri krimin atje, kush e vrau djalin tim. Mua do më interesonte po të jetonte djali. Tani që djali im nuk është, çfarë të më interesojë mua, ta ushqej unë në burg atë që ma vrau?”
Hera e fundit që Çelaj e kishte parë djalin e tij Indritin para se të vritej, ishte para një jave.