image Për vetëm katër ditë, zjarrfikësit e Prishtinës intervenojnë në 73 raste - komuna apelon për kujdes

Kosovë

Për vetëm katër ditë, zjarrfikësit e Prishtinës intervenojnë në 73 raste – komuna apelon për kujdes

news image

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka apeluar për kujdes të shtuar në përballimin e temperaturave të larta, duke theksuar rrezikun e mundshëm që ato sjellin për sigurinë qytetare.

Në një njoftim, bëhet e ditur se vetëm gjatë katër ditëve të para të muajit korrik 2025 (nga data 01.07 deri më 04.07, deri në ora 19:00), Brigada Profesionale e Zjarrfikësve të Kryeqytetit ka pasur 73 intervenime emergjente.

Këto përfshijnë 8 zjarre në objekte, 32 zjarre në bar të thatë, 9 zjarre në male dhe shkurre, 3 zjarre në ara me grurë, 4 zjarre në mbeturina, 3 zjarre nga pajisje elektrike, 2 zjarre veturash, si dhe 5 intervenime teknike dhe 7 shërbime të tjera.

Drejtoria njofton se vetëm në ditën e djeshme (04.07.2025), janë trajtuar 19 raste emergjente, përfshirë 13 zjarre në bar të thatë dhe 2 në zona malore, duke theksuar rrezikshmërinë e shtuar që vjen si pasojë e valës së të nxehtit.

“Ky angazhim i jashtëzakonshëm pasqyron profesionalizmin, përkushtimin dhe vetmohimin e pjesëtarëve të Brigadës sonë, të cilët, me rrezik për jetën, mbrojnë qytetin dhe qytetarët çdo ditë,” thuhet në njoftim.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca apelon tek qytetarët e kryeqytetit që të mos ndezin zjarre dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve të nxehta.

“Lutemi mos ndizni zjarre në natyrë, mos i hidhni cigaret në bar të thatë, dhe tregoni kujdes të shtuar në këtë periudhë me temperatura të larta! Veprimet e pakujdesshme rrezikojnë jetën, pasurinë dhe natyrën tonë të përbashkët. Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët. Bashkë për një Kryeqytet më të sigurt,”, përfundon thirrja e drejtorisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/