image “Për rize t’Zotit bre...”/ Qytetari që protestoi pasi polici hyri pa rend në QKMF-në e Rahovecit e pësoi keq nga Policia

Siguri

“Për rize t’Zotit bre…”/ Qytetari që protestoi pasi polici hyri pa rend në QKMF-në e Rahovecit e pësoi keq nga Policia

news image

Më 10 maj, Gazeta Sinjali ka raportuar për një incident mes një qytetari dhe një zyrtari policor që kishte ndodhur atë ditë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rahovec, pasi polici në fjalë ka kërkuar shërbim mjekësor. Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi polici hyri pa rend, ndërkohë që qytetarët e tjerë po prisnin. Kjo e revoltoi një 39-vjeçar, i cili kishte dërguar babain e tij të sëmurë për të marrë trajtim. Sinjali sot ka publikuar pamje se si ndodhi, ndërkohë që ka mësuar detaje të reja.

Në pamjet e siguruara nga Sinjali, shihet se si zyrtarët policorë prangosin qytetarin në sy të babait të tij, për shkak se protestoi pse kolegu i tyre hyri pa rend.

Siç mëson Sinjali, fillimisht në këtë qendër të mjekësisë kishte shkuar zyrtar policor në uniformë, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore. Në momentin që infermierja e lejoi policin për të marrë tretman mjekësor, situata është tensionuar, pasi 39-vjeçari e ka kundërshtuar veprimin e saj, duke i thënë se “nuk bën një gjë e tillë të ndodhë”.

Protesta ndaj mos mbajtjes së radhës nga personeli mjekësor, 39-vjeçarit i kushtoi me arrestim. Zyrtari policor që kishte shkuar për t’i bërë analizat kërkoi asistim, me ç’rast bashkë me kolegët e tij e prangosën qytetarin, nën britmat e babait të tij.

I moshuari, që priste për të marrë trajtim mjekësor pasi vuan nga diabeti shihet teksa bie në tokë dhe kërkon nga Policia që të mos ia arrestojnë të birin. “O bre kuku, për rize t’Zotit bre”, dëgjohet ai duke iu drejtuar policëve, të cilët pa një pa dy, arrestojnë 39-vjeçarin dhe e kapin për ta dërguar në stacion policor.

Një pacient që ishte në vendin e ngjarjes kur ndodhi rasti, në kushte anonimiteti tha për Sinjalin se i ka parë policët duke e shtyrë e goditur 39-vjeçarin edhe brenda spitalit, por edhe në veturë, teksa po transferohej në stacion.

Pasi i dyshuari është dërguar për intervistim, ndaj tij Sinjali mëson se është iniciuar rasti “Sulm” dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

/GazetaSinjali/