Koalicionin Nisma-AKR-PD, është duke përjetuar orët e fundit nën ethe duke pritur vendimin e PZAP-së që do t’i mundësonte asaj të bëhet pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës apo do ta linte këtë koalicion jashtë kuvendit, raporton Gazeta Sinjali.
Ankesa nga ky koalicion për votat e ardhura nga Serbia pritet të jetë vendimtare në ekzistencën e tri partive në Kuvendin e Kosovës, dy prej të cilave ishin pjesë e Qeverisë Haradinaj.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda këtij koalicioni, aktualisht numri i votave të numëruara deri më tani e bëjnë pjesë të kuvendit, koalicionin Nisma-AKR-PD, por në rast se njihen votat e ardhura nga Serbia, atëherë ky koalicion do të mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës.
Sipas këtyre shifrave jo zyrtare, koalicioni do ta kalojë pragun për vetëm 57 vota, por nëse numërohen tre mijë votat e ardhura nga Serbia, atëherë ky koalicion do të mbetej jashtë Kuvendit të Kosovës për 94 vota, raporton Gazeta Sinjali.
Por për të pasur përgjigjen përfundimtare, ky koalicion duhet të presë të paktën edhe 72 orë. Nisma-AKR-PD, kanë bërë ankesë gjatë ditës së djeshme për votat e ardhura nga Serbia të cilat pretendohet se nuk janë të rregullta.
Nga zyra e komunikimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i kanë thënë Gazetës Sinjali, se ankesa është pranuar gjatë ditës së djeshme nga koalicioni Nisma-AKR-PD dhe se përgjigje do të jepet brenda 72 orëve.
“Dje në ora 15:15, kemi pranuar ankesën nga koalicioni për votat e ardhura nga Serbia dhe sipas rregulloreve PZAP duhet të jap përgjigje brenda 72 orëve. Nuk mund të them saktë se kur do të merret vendimi, por që do të respektohen afatet kohore”, kanë thënë nga PZAP për Gazetën Sinjali.
Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme PZAP kishte vendosur që t’i refuzoj votat e ardhura me vonesë nga diaspora, përkundër se Gjykata Supreme kishte vendosur që të numërohen.
Aktualisht pritet që Lëvizja Vetëvendosje t’i ketë 29 deputetë, LDK 28, PDK 24, AAK-PSD 13./Gazeta Sinjali/