image Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, Suedia obligon qytetarët të mbajnë maska

Botë

Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, Suedia obligon qytetarët të mbajnë maska

news image

Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Suedia u ka thënë qytetarëve që të fillojnë të mbajnë maska në transportin publik për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas Euronews, rekomandimet, të njoftuara të premten, përcaktojnë që suedezët duhet të mbajnë mbulesa fytyre në periudhat e pikut kur “bllokimi nuk mund të shmanget”, një kthesë e dukshme nga qasja e kritikuar e vendit ndaj pandemisë, përcjell Gazeta Sinjali.

Po sipas Euronews, kryeministri Stefan Löfven tha se kufizime të tjera do të hyjnë në fuqi, të tilla si përgjysmimi i numrit të njerëzve që mund të hanë së bashku në një restorant dhe sjellja e një ndalimi për shitjet e alkoolit.

Më parë, tetë persona mund të darkonin së bashku, por kjo do të shkurtohet në katër, ndërsa shitja e alkoolit do të ndalohet pas orës 20:00.

Kjo e fundit do të hyjë në fuqi në prag të Krishtlindjes, ditën që suedezët zakonisht shkëmbejnë dhuratat e tyre.

Gjithashtu u njoftuan kufizime të mëtejshme për njerëzit që hyjnë në qendrat tregtare dhe palestra dhe punëtorëve jo-thelbësorë u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi.

Nxënësit e shkollave të mesme do të ndjekin mësimet në distancë deri më 24 janar.

Suedia është kritikuar ashpër në të gjithë botën për atë që shumë e kanë parë si një përgjigje të relaksuar ndaj COVID-19.

Ndryshe, më shumë se 360,000 suedezë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, ndërsa rreth 8,000 kanë vdekur./Gazeta Sinjali/