Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi si dhe drejtori i teknikës në këtë ndërmarrje, Faton Isufi, kanë shpenzuar 800 euro për akomodimin në hotelin me 5 yje në Stamboll për dy net, verën e këtij viti, raporton Gazeta Sinjali.
Udhëtimi zyrtar i Bedri Istrefit si dhe i Faton Isufit që ishte realizuar më 25 korrik të këtij viti në total u ka kushtuar afër 1 mijë e 700 euro, por vetëm për akomodimin në hotelin “CVK Park Hotel” janë shpenzuar 800 euro.
Istrefi për dy net në hotelin me 5 yje në Stamboll ka shpenzuar 500 euro në të cilën përfshihej fjetja si dhe mëngjesi. Dy net ka qëndruar edhe Isufi në këtë hotel, por që për fjetjen dhe mëngjesin e tij janë paguar 300 euro.
Gazeta Sinjali ka siguruar faturat e shpenzimeve të Istrefit dhe Isufit në këtë udhëtim, ku nga 400 euro u ka kushtuar vetëm bileta e udhëtimit. Në total vetëm për udhëtimin deri në Stamboll të Turqisë, janë shpenzuar 800 euro.
Ndërkohë që në këtë udhëtim prej të cilave Gazeta Sinjali ka siguruar faturat janë shpenzuar edhe 80 euro të tjera për transport nga aeroporti deri në hotelin me 5 yje.
Në total nga ky udhëtim Istrefi dhe Isufi vetëm për hotel dhe transport rezulton të kenë shpenzuar fiks 1 mijë e 680 euro./Gazeta Sinjali/