image Për dallim nga pjesa tjetër, në veri të Kosovës s'ka fatura e as rritje çmimesh - Sinjali

Për dallim nga pjesa tjetër, në veri të Kosovës s’ka fatura e as rritje çmimesh

news image

“Nuk e di nëse ia vlen të diskutohet fare”, thotë Ymer Fejzullahu, se veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, nuk paguan rrymën e shpenzuar tash e dy dekada.

Fejzullahu është kryetar i Bordit Drejtues të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës dhe aktualisht është në pozitën e atij që shpjegon arsyet se përse çmimi i energjisë elektrike është duke u rritur gjithandej, përveç në katër komunat në veri të Lumit Ibër.

Ky është problem politik tash e njëzet vjet dhe Zyra e Rregullatorit për Energji nuk mund ta zgjidhë. Ne do të donim që ky proces të zgjidhej sot, por kjo çështje është diskutuar prej vitesh në nivel të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] në Bruksel dhe shpresojmë që të zgjidhet së shpejti”, thotë Fejzullahu.

Megjithatë, zgjidhja nuk duket në horizont. Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për Energjetikën në vitin 2013 dhe ajo ende sot nuk zbatohet.

Marrëveshja për Energjinë

Në mes të janarit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një letër nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në të cilën ky i fundit ka përmendur çështjen e energjetikës dhe ka shfaqur shpresën se ajo do të zgjidhet shpejt.

Është në interesin e Kosovës që të zgjidhen këto çështje dhe të arrihet një zgjidhje kompromisi”, ka thënë Blinken.

Si është dashur të zgjidhet problemi?

Kosova, muajve të fundit, është duke u përballur me një krizë energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit në nivel botëror. Dhe, duke pasur parasysh se nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, Kosova detyrohet të importojë me çmime më të shtrenjta.

Si pasojë e kësaj, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.

Kompania “Elektrosever”, e cila, sipas Marrëveshjes së Brukselit, duhet t’i dërgojë dhe t’i mbledhë faturat për qytetarët në veri – ku shumica janë të nacionalitetit serb – nuk ka marrë ende licencë.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se licenca është kërkuar në fund të dhjetorit, 2020, por ende nuk është miratuar, sepse “duhet të jetë në përputhje me Marrëveshjen [e Brukselit] dhe konkluzionet”, gjë që, sipas ZRRE-së, nuk është arritur deri më tani.

ZRRE nuk specifikon se çfarë konkretisht është e kontestueshme në dokumentacionin për marrjen e licencës.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë për Energjetikën në vitin 2013, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për konkluzionet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në vitin 2015.

Sipas tyre, Elektrosever “do të aplikojë në Zyrën e Rregullatorit për Energji për licencën e nevojshme për furnizimin e konsumatorëve, për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike në treg të hapur dhe për importin dhe eksportin e energjisë elektrike”.

Ajo licencë duhet të lëshohet në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative, që është në fuqi në Kosovë.

Sa janë humbjet?

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) bëjnë të ditur se humbjet vetëm për vitin 2021 kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh.

KOSTT ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që urgjentisht ta heqë obligimin për mbulimin e humbjeve në veri nga operatori i licencuar i sistemit të transmisionit, ose të gjejë një mekanizëm tjetër për mbulimin e këtyre shpenzimeve”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga KOSTT-i, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Por, ZRRE thotë se nuk ka mënyrë tjetër për t’i kompensuar shpenzimet e energjisë elektrike në komunat në veri, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka ndaluar rritjen e faturave për qytetarët në jug të Ibrit, që do t’i kompensonin humbjet.

Që atëherë (2017) e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës”, thotë Zyra e Rregullatorit për Energji.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e Kosovës nga komunat në jug të Ibrit. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Vendimi më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kush e bllokon Marrëveshjen për Energjetikën?

Më 3 shkurt, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar në Twitter se ka diskutuar për çështjet energjetike me shefin e delegacionit serb në dialogun e nivelit teknik me Kosovën, Petar Petkoviq, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Bashkimit Evropian, i cili është ndërmjetësues i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, me pyetjet se deri ku është arritur me zbatimin e Marrëveshjes për Energjetikën dhe nëse janë duke u dakorduar për detaje të reja, marrë parasysh se marrëveshja e vitit 2013 dhe konkluzionet e vitit 2015 nuk janë duke dhënë rezultate.

Përgjigje e saktë nuk është marrë, por thuhet se “dialogu vazhdon me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të sillte një zgjidhje të përhershme për të gjitha çështjet e hapura”.

Po ashtu thuhet se BE-ja dhe vendet anëtare presin që Kosova dhe Serbia të tregojnë përkushtim ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për integrimin e tyre evropian.

Nga Qeveria e Kosovës, askush nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it se deri ku ka arritur zbatimi i Marrëveshjes për Energjetikën, çfarë është e diskutueshme rreth zbatimit të saj dhe nëse po flitet për ndonjë detaj të ri.

Të njëjtat pyetje, REL ia ka dërguar edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila udhëhiqet nga Petar Petkoviq, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Kush e furnizon veriun me rrymë?

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, në disa raste, kanë bërë deklarata kundërthënëse se kush i furnizon me rrymë qytetarët në veri të Kosovës.

KOSTT thotë se furnizimi me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës “bëhet dhe do të bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës”.

Deri më 14 dhjetor, 2020, kur KOSTT ka operuar në kuadër të Bllokut SMM (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi), raportet ditore për nominimet e energjisë elektrike në KOSTT nga blerësit dhe furnizuesit, si dhe raportet e Bllokut SMM kanë treguar se veriu i Kosovës nuk është furnizuar nga Serbia”, thonë në KOSTT.

Por, Beogradi zyrtar pretendon të kundërtën.

Në fund të janarit, Petkoviq ka thënë se nuk është e vërtetë që nuk është paguar rryma që konsumojnë serbët në veri të Kosovës.

Sipas tij, “çdo kilovat energji elektrike, i konsumuar gjatë gjithë këtyre viteve, është paguar siç duhet, sepse Beogradi dhe EPS (Elektro-ekonomia e Serbisë), deri në fillim të vitt 2021, kanë paguar energjinë elektrike, që përmes sistemeve të transmetimit të EMS-së (Elektro-rrjetit të Serbisë), ka arritur në katër komunat në veri të Kosovës”.

Nga KOSTT po ashtu thonë se raporti i SwissGrid-it (Operatori zviceran i rrjetit të transmetimit) tregon se Kosova i furnizon konsumatorët në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun.

Qytetarët e Republikës së Kosovës e marrin rrymën nga furnizuesit e licencuar të ZRRE-së, ndërsa humbjet për konsumin e energjisë elektrike të shfrytëzuar e të papaguar nga qytetarët në veri, aktualisht i mbulon KOSTT”, thotë ky institucion për Radion Evropa e Lirë.

Sa është rritur çmimi?

Më 8 shkurt, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar tarifa të reja të rrymës, sipas të cilave, të gjithë ata që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj, do të paguajnë më shtrenjtë.

Siç është njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj.

Për ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ndryshon, gjegjësisht do të vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.

Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.

Partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin