image Për çfarë kontrata po akuzohet Dhurata Hoxha nga Specialja dhe sa ishte vlera e tyre

Drejtësi

Për çfarë kontrata po akuzohet Dhurata Hoxha nga Specialja dhe sa ishte vlera e tyre

news image

Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministres së Ministrisë së Integrimit Evropian në Qeverinë Haradinaj, Dhurata Hoxhës dhe katër zyrtarëve të kësaj ministrie, raporton Gazeta Sinjali.

Hoxha bashkë me Fitim Mustafën (drejtor i Drejtorisë së Prokurimit), Demush Shashën dhe Kushtrim Cukajn (sekretarë të përgjithshëm në MIE), si dhe Nuhi Osmanin, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gazeta Sinjali ka arritur që të sigurojë aktakuzën e Speciales të ngritur ndaj Hoxhës dhe katër ish-zyrtarëve të ministrisë që udhëhiqej nga ministrja e PDK-së në Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Në këtë aktakuzë, thuhet se Hoxha, më 11 maj 2018, sa ishte ministre e Integrimit Evropian, kishte bërë kërkesë te sekretari i përgjithshëm i ministrisë, që kjo ministri të lidhë kontratë me kompaninë “OE Majorelle PR & Events”, në vlerë të 180 mijë euro.

Pastaj, më 21 shkurt të vitit 2019, ajo akuzohet se kishte kërkuar nga sekretari i përgjithshëm, që të vazhdojë kontratën me këtë kompani, në vlerë të 168 mijë eurove.

Ndërkaq, më 24 prill 2019, Hoxha kishte bërë kërkesë te sekretari që MIE të lidhë kontratë me kompaninë “Madison Global Strategies LLC”, në vlerë të 152 mijë e 232 eurove.

Më 11 maj të vitit 2018, sa ishte në pozitën e ministres, kishte tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht Operatorit Ekonomik – “OE Majorelle PR & Events”, në mënyrë që përmes një kërkesë të bërë më 11 maj, te i pandehuri sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, i pandehuri, Demush Shala, nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke e përcaktuar procedurën e prokurimit që duhej aplikuar (procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë një burimore) dhe emrin e OE “Majorelle PR & Events”, me të cilën duhet të lidhur kontrata nga MIE, edhe pse e kishte ditur se në bazë të ligjeve në fuqi, nuk ishte në kompetencën e ministres që 1) të inicionte procedurën e prokurimit, 2) të përcaktonte se cila procedurë e prokurimit duhet aplikuar dhe 3) të përcaktoj emrin e OE me të cilin duhej lidhur kontrata, në këtë mënyrë ia mundësoi OE “ Majorelle PR & Events”, që me datë 17 gusht të vitit 2018 të lidhë kontratë me MIE, në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Ndërkaq, më datë 21 shkurt të viti 2019, në Prishtinë, Hoxha, sa ishte ende në pozitën e ministres, akuzohet se kishte tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë e njëjtë, kishte bërë sërish kërkesë te sekretari i përgjithshëm i MIE, Kushtim Cukaj, vazhdimin e kontratës në bazë të procedurës së njëjtë, edhe pse e kishte ditur se në bazë të ligjeve në fuqi, ajo si ministre nuk kishte kompetencë që të paraqiste kërkesë për vazhdimin e kontratës, në mënyrë që t’ia mundësojë kompanisë “Majorelle PR & Events”, që me datë 28 mars të vitit 2019 të vazhdojë kontratën me Ministrinë e Integrimit Evropian, në vlerë prej 168 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, më datë 24 prill të vitit 2019, e pandehura Dhurata Hoxha, në cilësi të ministres, kishte tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të mundësimit të dobisë pasurore personit tjetër “Madison Global Strategies LLC”, kishte dërguar kërkesë te sekretari i ministrisë, Kushtrim Cukaj, për nisjen e procedurave të prokurimit për “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke e përcaktuar procedurën e prokurimit, që duhej aplikuar (procedurë e negociuar pa publik të njoftimit për kontratë një burimore), dhe emrin e kompanisë me të cilën do të duhej të lidhej kontrata në vlerë të 152 mijë e 232 euro, ani pse kishte qenë në dijeni se këto veprime të saj si ministri janë në kundërshtim me ligjin.

Me këto veprime ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, Fitimi Mustada, akuzohet se më 11 maj të vitit 2018, në cilësi të drejtori të Divizionit të Prokurimit, në Ministrinë e Integrimit Evropian, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, ia mundësoi përftimin e dobisë pasurore personit tjetër OE “Majorelle PR & Events” , me anë të një kërkesë drejtuar sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Demush Shashës, si dhe një kërkesë të cilën ia kishte dërguar më 2 shkurt 2019, sekretarit të përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukajt.

Përmes tyre, ai kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Dhurata Hoxha, për lidhjen dhe vazhdimin e kontratës me kompaninë “Majorelle PR & Events”, të pranoheshin, edhe pse ishte në dijeni se kërkesat e lartcekura ishin parashtruar në kundërshtim me ligjin.

Nga këto dy kontrata, “Majorelle PR & Events” ka përfituar 348 mijë euro nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Po ashtu, më 7 maj të vitit 2019, Mustafa, sa ishte akoma në këtë pozitë, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, akuzohet se ai mundësoi kompanisë “Madison Global Strategies”, përfitimin e 152 mijë e 232 eurove, përmes një kërkesë që e kishte parashtruar te sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Kushtrim Cukaj, duke i kërkuar atij që të pranonte kërkesën e Dhurata Hoxhës, për lidhjen e kontratës me këtë kompani, edhe pse e kishte ditur se kërkesa e ministres ishte në kundërshtim me ligjin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/