Përleshjet e rrahjet brutale në mes të rinjve jo rrallëherë kanë përfunduar tragjikisht, ose me pasojë të rënda. Të tillë raste shpesh ndodhin edhe në hapësira publike, duke u cenuar kështu edhe siguria. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë pas mesnatë në Pejë, pesë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se mosmarrëveshje mes të dyshuarve, tre në njërën anë dhe dy në anën tjetër ka nisur derisa ishin në komunikacion, në veturat e tyre. Për një fjalë goje aty dyshohet se u kapën dhe më pas dolën nga veturat duke e sulmuar njëri-tjetrin me grushte, saqë njëri prej tyre e theu xhamin e veturës së të dyshuarit tjetër.
Sulmi brutal mes tyre nuk ndaloi as pasi Policia intervenoi në vendin e ngjarjes dhe urdhëroi nga të dyshuarit që të ndalen. Sinjali mëson se të njëjtit nuk kanë zbatuar urdhrat e Policisë, ashtu që kanë vazhduar ta godasin njëri-tjetrin derisa zyrtarët policorë u detyruan të përdorin sprej, për t’i vënë nën kontroll.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.