Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës në familje. Gratë janë viktimat më të shpeshta, të cilat përjetojnë dhunë fizike e psikike nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Pejë, ku një grua u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, rasti ndodhi në rrugën “Adem Jashari”, ku gruaja e kapi në flagrancë burrin e saj me një grua tjetër.
Sinjali mëson se viktima, një 33-vjeçare, e ka zënë të dyshuarin duke dalë nga vetura me një tjetër dhe aty dyshohet se plasi sherri – pasi palët u përballën.
Bazuar në informacionet e para, burri i dyshuar e ka kapur me forcë bashkëshorten e tij dhe e ka sulmuar në prani të dashnores.
Përballë kësaj situate, viktima u largua nga aty dhe vendosi që të largohet me fëmijët edhe nga shtëpia ku jetonte me burrin.
Gjithë rasti u denoncua në Polici nga vet gruaja, e cila ndër të tjera ka deklaruar se edhe është kanosur pasi vajza e burrit që e ka nga martesa e parë i ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit, i cili është arratisur.