image Peja me masa strikte për qytetarët: Mos dilni në natyrë apo sheshe, policia do t'ju ndalojë

Kosovë

Pandemia/ Peja me masa strikte për qytetarët: Mos dilni në natyrë apo sheshe, policia do t’ju ndalojë

news image

Zyrtarë të komunës së Pejës janë duke apeluar në vazhdimësi tek qytetarët që mos të dalin jashtë gjatë këtyre ditëve dhe t’i respektojnë me përpikëri rregullat e izolimit në mënyrë që të parandalohet sa më shumë përhapja e koronavirusit.

Në një komunikatë për mediat nga Peja kanë bërë të ditur se polica do të veprojë dhe do t’i kthejë mbrapsht të gjithë ata që dalin në natyrë apo sheshe.

“E kuptojmë se po kaloni nëpër momente të vështira dhe e keni humbur durimin. E kuptojmë dëshiren dhe nevojen tuaj për të dalur në ambiente të gjelbëruara! Por, jemi në gjendje emergjente, Virusi nuk po na fal, është i pa mëshirshëm! Mos delni në natyrë dhe as në sheshe! Rrini në shtëpi? Me daljet tuaja vetëm se po i shtoni punë dhe po e mundoni edhe ma shumë Policinë! Policia do të veprojë aq sa ka mundësi që t’ju ndalojë dhe t’ju kthej mbrapa nga shetitjet!”, thuhet në njoftimin e komunës.

Tutje, ata kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për ta luftuar së bashku virusin

“Ju ftojmë të bashkëpunoni në këto ditë të vështira dhe mos i krijoni Policisë më shumë punë! Kjo betejë mposhtet vetëm nëse e luftojmë bashkarisht!”, përfundon njoftimi.

Ndryshe, nga kjo komunë deri tani janë konfirmuar gjashtë raste të prekura nga Covid-19./GazetaSinjali/