Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja për Bashkim (LB), kanë arritur gjatë ditës së sotme marrëveshje për koalicion për zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti.
Përkundër që afati për koalicion në KQZ mes partive politike ka përfunduar, PDK ka arritur t’i bindë që kandidatët për deputetë të LB-së të jenë në listën e përbashkët me kandidatët e PDK-së për deputetë të legjislaturës së ardhshme.
“Sipas kësaj marrëveshje, kandidatët për deputetë nga Lëvizja për Bashkim do të jenë pjesë e përbashkët e një liste me kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo marrëveshje është rezultat i një bashkëpunimi tradicional në mes të dy subjekteve politike”.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lartë kontributin që Lëvizja për Bashkim ka dhënë në të kaluarën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Qeverinë e Kosovës por edhe në institucione të tjera qendrore dhe lokale”, thuhet në njoftim.
Më tutje njoftimi për media i PDK-së sqaron se kandidatë për kryeministër nga koalicioni PDK dhe LB do të jetë Kadri Veseli.