image Nga PDK thumbojnë kryetarin e Kamenicës: Ndali politikat e mbrapshta të mbylljes së shkollave

Kosovë

Nga PDK thumbojnë kryetarin e Kamenicës: Ndali politikat e mbrapshta të mbylljes së shkollave

news image

Zëvendësministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, ka akuzuar kreun e Kamenicës, Qëndron Kastrati se me vendimin për mbylljen e 19 shkollave, po i vazhdon skandalet dhe veprimet që janë me pasoja afatgjata për banorët dhe komunën më lindore të Kosovës.

Pasi që e shkaktoi një skandal para rreth dy muajve kur e emëroi drejtor të Financave 21-vjeçarin që ka mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë, tani po përgatitet për një veprim tjetër, jo vetëm skandaloz por me pasoja shumë të mëdha, përkujton Cakolli në Facebook.

Në emër të “reformave” në sistemin shkollor dhe të gjoja mungesës së nxënësve, Kastrati pa analiza të mirëfillta paraprake, pa shpjegime konkrete dhe arsyetime reale, po planifikon t’i mbyllë rreth 40% të shkollave fillore në fshatrat e malësisë së Kamenicës, shkruan më tej Cakolli.

Bujar Cakolli, zëvendësministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Ai thotë se me këtë veprim, kryetari Kastrati po e zyrtarizon një veprim skandaloz dhe të rrezikshëm për mbijetesën e banorëve të fshatrave të brezit kufitar, të cilët janë konsekuentë të mos i braktisin vatrat shekullore.

“Ne jemi kundër veprimeve arbitrare të pushtetit komunal në Kamenicë dhe mbështesim me çdo kusht të drejtën e qytetarëve kudo që ata jetojnë për tu shkolluar dhe arsimuar. Reformat janë të ligjshme dhe të rëndësishme, por, kur ato prekin dinjitetin, vullnetin dhe të drejtën e qytetarëve, sidomos në edukim dhe arsimim, nuk duhet të aplikohen”, thekson Cakolli.

Ai fton qeverisjen lokale të Kamenicës të merret me probleme reale të qytetarëve dhe t’i ndalojë politikat e mbrapshta të mbylljes së shkollave./Sinjali/