Partia Demokratike e Kosovës ka nisur sot një betejë ligjore ndaj njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila nga 1 qershori planifikon të largojë rreth 1,300 biznese nga shërbimi universal i energjisë dhe t’i kalojë në tregun e lirë
Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër duke thënë se ky vendim prek mijëra punëtorë dhe rrezikon të fusë vendin në krizë ekonomike e sociale.
“ZRrE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut. Ky vendim është marrë në mungesë të një analize të konkurrencës, si dhe pa konsultim me institucionet përgjegjëse, si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. Siç ka vërejtur qartë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ky vendim cenon interesat legjitime të një komuniteti të gjerë ekonomik, duke krijuar kushte për një krizë të re sociale në vendin tonë,” theksoi ai.
PDK i ka bërë thirrje ZRrE-së që ta pezullojë menjëherë zbatimin e këtij njoftimi, përndryshe paralajmëroi se pas 15 ditësh do të procedojë me padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“ZRrE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut.”
Tahiri ka ngritur edhe shqetësime serioze për pozitën dominuese të KESCO-s dhe çmimet e larta në tregun e lirë.
“Situata bëhet edhe më alarmante për shkak të pozitës dominuese të KESCO-s në treg, ndërkohë që shumica e operatorëve të tjerë të licencuar nuk janë prodhues, por vetëm tregtarë të energjisë, që ofrojnë çmime deri në 280% më të larta. Kjo provon qartë se kushtet për një treg të hapur, të drejtë dhe konkurrues nuk ekzistojnë. Prandaj, PDK i bën thirrje ZRrE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e këtij njoftimi, se ky as vendim nuk është. E kanë lëshuar si njoftim për t’i ikur ballafaqimit ligjor.”
Në fund, Tahiri e përmendi edhe një kompani të lidhur me njerëz të afërt me Qeverinë.
“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!