image PDK, LDK dhe AAK nuk lëshojnë 'pe' për votimin e fshehtë: Po mbrojmë kushtetutshmërinë

Politikë

PDK, LDK dhe AAK nuk lëshojnë ‘pe’ për votimin e fshehtë: Po mbrojmë kushtetutshmërinë

news image

Ngërçi institucional në Kosovë po vazhdon. Kuvendi edhe sot, për herë të 44-të, ka dështuar të konstituohet, duke thelluar krizën politike që ka nisur pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Seanca e radhës për formimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit nuk mori mbështetjen e partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Seanca u ndërpre dhe është paralajmëruar të vazhdojë më 11 korrik, në orën 11:00.

Pavarësisht ndërprerjes, deputetët opozitarë shfrytëzuan foltoren për të akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim dhe shkelje të Kushtetutës.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, me tone ironike iu drejtua drejtuesve të seancës, duke kërkuar kthim te kushtetutshmëria: “U.d., e ftoj kryesuesin të kthehet në pikën e rendit të ditës.”.

Ndërkohë, Paris Guri nga LDK u përplas verbalisht me deputetët e VV-së, duke iu drejtuar me ton kritik deputetes Fitore Pacolli: “Fitore, çka po qesh – a i ke kthy 200 mijë euro? Mos qesh se marre.”

Reagimi i kryesuesit Avni Dehari ishte i menjëhershëm – ai kërkoi ndërprerjen e mikrofonit.

Propozimet për anëtarë të komisionit nuk munguan. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi Albin Kurtin, duke thënë:”Ne kemi propozimin: Albin Kurtin. Ai që është bllokues duhet me zhblloku.”

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se kundërshtimi i tyre ndaj votimit të fshehtë nuk është vetëm procedurial, por për të mbrojtur parimet kushtetuese: “Nëse sot lejojmë të shkelet Kushtetuta për një karrige, nesër do të shkelet për një qeveri dhe pasnesër për një ligj.”.

Kritik u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i cili deklaroi: “44 herë shkelje e vullnetit të qytetarëve, por edhe e Kushtetutës… Vendi po fundoset në krizë të thellë socio-ekonomike.”.

Edhe deputetja Kadrijaj theksoi rëndësinë e mbrojtjes së parimeve republikane: “Do ta mbrojmë Republikën – jo Republikën e LVV-së, por Republikën e Kosovës. E kemi obligim para qytetarëve dhe familjeve të dëshmorëve…”.

Pesë muaj pas zgjedhjeve, Kosova ende nuk ka institucione të reja. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar që Kuvendi duhet të konstituohet më së largu deri më 26 korrik, por partitë parlamentare s’po arrijnë konsensus.

Albulena Haxhiu, kandidatja e VV-së për kryeparlamentare, nuk ka arritur të sigurojë 62 votat e nevojshme në gjashtë tentime të deritanishme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/