Mbledhja e parë që drejtohet nga kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani, është bojkotuar nga PDK-ja pak momente pasi nisi, shkruan Gazeta Sinjali.
Shkaqet e bojkotimit të seancës ku do të shqyrtoheshin komisionet parlamentare, PDK i ka përmendur në një konferencë për media.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, tha se koalicioni Vetëvendosje-LDK-Lista Serbe e ka filluar keq punën dhe sjelljen institucionale.
“Unë e kuptoj se njerëzit kanë nevojë të inspirohen, por për gjëra të tilla janë ambientet dhe hapësirat private. Në institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj. Fotografia e presidentit Rugova është në hapësirat e Kuvendit dhe gjatë udhëheqjes së Kuvendit nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është trajtuar me kujdes. Në situatën në të cilën ndodhemi tani, proceset të cilat janë përpara, vlerësojmë se duhet të ketë kohezion të brendshëm. Ne besojmë që opozita e ka vendin në Kuvend. Është mirë për vendin por është mirë edhe për pushtetin. Ndërsa veprimet e zonjës Osmani, opozitës ia pamundësojnë këtë dhe e largojnë nga institucioni. Pra, si rezultat i këtij veprimi të kundërligjshëm, ne si partia më e madhe opozitare, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Hamza.
Ai ka kërkuar që fotografia zyrtare e presidentit Hashim Thaçi të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe Osmani t’i ndalojë veprimet që sipas tij nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat “e pamundësojnë opozitën të jetë në institucione”.
Bedri Hamza po ashtu pati vërejtje edhe për mënyrën e thirrjes së seancës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
“Zonja Osmani e ka nisur komplet mbrapsht punën e saj që nga mënyra e zgjedhjes së saj dhe kjo nuk është në rregull. Në ditën që u votua Qeveria pasi deputetët u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e Grupeve Parlamentare u ftuan përmes një lajmërimi në Viber të stafit të Administratës në ora 18:26 për të marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë në ora 18:30. Pra për 4 minuta dhe pa specifikuar as qëllimin e mbledhjes e as pikat e rendit të mbledhjes dhe në kundërshtim edhe me Rregulloren, por edhe me logjikën e thirrjes së mbledhjes. Sipas kësaj logjike, anëtarët e Kryesisë duhet të qëndrojnë afër sallës së mbledhjeve se përndryshe nuk mund të arrijnë kurrë në mbledhje”, tha Hamza.
Sipas tij, nga veprimet që bëri VV-LDK me thirrjen e seancës natën dhe për 4 minuta kohë, ata nuk e kishin qëllim të ftojnë të gjithë deputetët, pasi e kishin arritur paraprakisht “pazarin me Listën Serbe”.
“Ka qenë e ditur dhe ua kemi thënë në seancë të Kuvendit se ka marrëveshje mes partnerëve të koalicionit VV-LDK dhe Listës Serbe, por ata gjatë ditës e kishin mohuar. Por, natën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit u konfirmua ajo që ne e thamë ditën dhe zonja Osmani u zgjedh kryetare e Kuvendit me pazare të qarta me Listën Serbe, sepse ndryshe nuk do të mund të votohej atë natë”, tha Hamza.
Kuvendi i Kosovës ka katër të përhershme siç janë ai për Buxhet e Financa, ai për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi si dhe Komisioni për Integrime Evropiane.
Deri më tani kanë qenë 12 komisione të tjera funksionale. /Gazeta Sinjali/