image PDK e dërgon në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHC-së

Politikë

PDK e dërgon në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHC-së

news image

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës konsiderojnë se anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës u shkarkuan në mënyrë kundërkushtetuese dhe arbitrare, për këtë arsye ata sot kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit.

Në këtë kërkesë, PDK ka argumentuar se Kuvendi në mënyrë kundër-kushtetetuese, ka shkelur dy nene konkrete të Kushtetutës, respektivisht nenin 101 (Shërbimi Civil) dhe 142 (Agjencitë e Pavarura) të Kushtetutës.

“Ky Këshill është institucion i pavarur i nivelit kushtetues, dhe garanton standardet e meritës, profesionalizmit, neutralitetit ndaj politikës dhe të karakterit të shërbimit civil në kuadër të administratës së shtetit. Po ashtu, në bazë të përgjegjësive kushtetuese të këtij institucioni të pavarur, qeveria, Kuvendi dhe organet tjera politike zhvishen nga kompetencat e ndërhyrjes në shërbimin e pavarur civil të Kosovës, sepse Kushtetuta, një kompetencë të tillë, i’a ka dhënë vetëm këtij Këshilli si institucioni i pavarur nga ndikimet politike”, thuhet në lëndën e dërguar në Kushtetuese.

Ndërkaq, sipas deputetëve të PDK-së anëtarët e Këshillit janë shkarkuar në mënyrë kolektive, përkundër faktit të pakontestueshëm që anëtarët e këtij insitucioni, zgjedhen individualisht në një procedurë të përcaktuar qartësisht në Kuvend.

“Kjo përmbën shkelje edhe të procedurës e cila është ndjekur për shkarkimin e tyre. Po ashtu, vendimi për shkarkimin (ndërprerjen) e mandatit të anëtarëve të Këshillit është kundërkushtetues sepse me rastin e shkarkimit nuk janë përmbushur asnjë nga kushtet e paraparë në nenin 15 (Ndërprerja e mandatit të anëtarit të Këshillit) të Ligjit Nr.06/L- 048. Aq më tepër, që pikërisht dispozitat e këtij ligji i janë nënshtruar kontrollit në Gjykatën Kushtetues, (shih: aktgjykimi në rastin KO171/18) ku përveç tjerash, neni 11 paragrafi 3, relevant për rrethanat e rastit konkret, që ju garanton imunitet funksional kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit, u vlerësua në tërësi në pajtim më kushtetutën”, thuhet në shkresën e PDK-së dërguar në Kushtetuese.

Grupi Parlamentar i PDK-së ka paralajmëruar qysh në fillim të kësaj legjislature se do ta monitorojnë dhe denoncojnë çdo shkelje të pushtetit aktual.

/GazetaSinjali/