Dy parti opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e hodhën poshtë mundësinë e lidhjes së ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Bedri Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, tha se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion që përfshin partinë e kryeministrit Albin Kurti.
“Kemi dallime të mëdha”, tha Hamza në një konferencë për gazetarët, të hënën në Prishtinë.
“Ata [Vetëvendosje] duan pushtet absolut dhe nuk kanë program. Gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në debate televizive. I ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”, shtoi Hamza.
Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 40 për qind, PDK-ja me rreth 22%, LDK-ja me rreth 17% dhe AAK-Nisma me rreth 7%.
Por, për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej.
Më herët, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se preferon krijimin e një qeverie nga partitë opozitare.
“Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, kandidat i AAK-së për kryeministër, në një konferencë për gazetarë.
“Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës – assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se LDK-ja pret numërimin e plotë të votave përpara se të dalë me qëndrimet e saj politike.
“Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do t’i ofrojë qëndrimet e veta politike”, tha Abdixhiku.
Duke iu drejtuar mbështetësve një natë më herët, Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.
Përkundër fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pësoi humbje të mbështetjes për gati 10%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Pjesëmarrja e qytetarëve në to ishte pak mbi 40 për qind.
Bashkimi Evropian e mirëpriti organizimin e zgjedhjeve në, siç tha, atmosferë të qetë.