Një sulm me dron izraelit në Libanin jugor ka vrarë të paktën tre persona dhe ka plagosur një tjetër, sipas mediave shtetërore libaneze, pavarësisht armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe lëvizjes shiite Hezbollah, e mbështetur nga Irani.
Sulmi e çon në të paktën shtatë numrin e viktimave nga sulmet izraelite që nga e marta, në një kohë kur po zhvillohet një raund i ri negociatash të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, për herë të parë pas dekadash.
Hezbollahu e ka cilësuar sulmin si një “shkelje të drejtpërdrejtë” ndaj “civilëve”, duke pretenduar se Izraeli ka shkelur për herë të tretë armëpushimin, të cilit, sipas tij, lëvizja mbetet e përkushtuar.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka deklaruar se objektivi i sulmit ishin anëtarë të Hezbollahut në Libanin jugor, të cilët, sipas saj, përbënin kërcënim. Në një deklaratë të publikuar në Telegram, ushtria tha se kishte identifikuar pesë persona të armatosur dhe i cilësoi si “terroristë të Hezbollahut”, duke shtuar se ata janë eliminuar nga forcat ajrore dhe tokësore.
Armiqësitë në frontin libanez janë përshkallëzuar që nga fillimi i marsit, pas sulmeve të Hezbollahut ndaj Izraelit në mbështetje të Iranit, në një kontekst të tensionuar pas ofensivës SHBA-Izrael të nisur më 28 shkurt.
Në përgjigje, ushtria izraelite ka ndërmarrë një fushatë ajrore në shkallë të gjerë në Liban dhe ka vendosur kontroll në pjesë të jugut të vendit, duke krijuar atë që e cilëson si “zonë sigurie” rreth dhjetë kilometra nga kufiri, me qëllim mbrojtjen e zonave veriore të Izraelit.
“Ne nuk do t’i tërheqim forcat tona nga Libani jugor për sa kohë që Hezbollahu mbetet një kërcënim dhe nuk çarmatoset”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë së Benjamin Netanyahut.
Ndërkohë, procesi diplomatik i ndërmjetësuar nga SHBA vijon paralelisht, përfshirë bisedimet e drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit. Raundi i pestë i negociatave është zhvilluar këtë javë në Uashington, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se deri më tani nuk është shënuar progres i dukshëm.
Hezbollahu ka refuzuar të marrë pjesë në këto bisedime, duke e quajtur procesin të njëanshëm dhe të papranueshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!