Paundi ka rënë në një nivel të ri të ulët në 37-vite kundrejt dollarit amerikan. Shifrat treguan se shitjet me pakicë në Mbretërinë e Bashkuar ranë ndjeshëm në gusht. Shkak ishte rritja e kostos së jetesës që vazhdoi të godasë familjet.
Rënia më e madhe se sa pritej në vëllimet e shitjeve prej 1.6% shkaktoi shqetësime të reja mbi gjendjen e ekonomisë.
Shitjet në të gjithë sektorët e shitjeve me pakicë ranë në gusht. Kjo pasi familjet reduktuan shpenzimet për shkak të rritjes së çmimeve.
Disa analistë sugjeruan se shifrat e shitjes me pakicë treguan se Mbretëria e Bashkuar është tashmë në recesion.
Sterlina ra më shumë se 1% kundrejt dollarit në 1.1351 dollarë, më e ulëta që nga viti 1985. Paundi ra pas publikimit të shifrave të shitjeve me pakicë.
“Është e premte e zymtë për paundin, mes shqetësimeve që Mbretëria e Bashkuar është futur në recesion, pasi kriza e kostos së jetesës intensifikohet dhe besimi në aftësinë e qeverisë për të nxitur një kthesë ekonomike zbehet”, tha Susannah Streeter, analiste e lartë e investimeve dhe e tregjeve në Hargreaves Lansdoën.
Kjo vjen në një kohë kur inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar, që është shkalla me të cilën çmimet rriten, po shkon në nivelin më të lartë të 40 viteve, pavarësisht se ka rënë në 9.9% nga 10.1% e korrikut.
Banka e Anglisë ka parashikuar që Mbretëria e Bashkuar do të bjerë në recesion në fund të këtij viti dhe pritet të vazhdojë të rrisë normat e interesit në një përpjekje për të frenuar inflacionin.