image Pasi dështoi t'i largojë artikujt e Sinjalit "se po i prishet familja", Vilard Bytyqi motivohet t'i quajë të vërtetat sajime

Siguri

Pasi dështoi t’i largojë artikujt e Sinjalit “se po i prishet familja”, Vilard Bytyqi motivohet t’i quajë të vërtetat sajime

news image

Artikulli i Gazetës Sinjali i publikuar të enjten mbrëma që i referohet anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Vilard Bytyqit, çoi peshë sistemin e drejtësisë. Anëtari jogjyqtar i këtij institucioni u zbulua të ketë qenë i përfshirë në një raport të afërt, jashtëmartesor, me një grua dhe u vu në pah sjellja joetike e tij, duke shkelur Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale.

Nga momenti i publikimit e plot 12 orë rresht, z.Bytyqi është munduar në çdo formë e në çdo mënyrë, gjithandej – brenda e jashtë vendit, që të ndikojë që lajmet të largohen.

Për korrektësi, Sinjali njofton lexuesit se reagimit të tij, gjatë tërë natës së mbrëmshme, i kanë paraprirë telefonata dhe kërkesa nga miqtë e familjarët, emëruesi i përbashkët i të cilave ka qenë lutja që artikujt të largohen.

Secili nga ta, me thirrje e me mesazhe në menaxhmentin e Sinjalit, kërkesën e vetme për t’i larguar lajmet e arsyetonin me mosprishje të familjes e asnjëherë me sajesa e fabrikime.

Pasi mundësitë u shteruan dhe rrjedhimisht secila tentativë rezultoi e pasuksesshme, z.Bytyqi vendosi të lëshojë akuza për mashtrime e sajime.

Shkrimet e publikuara nga Sinjali, z.Bytyqi i quajti “sajesa tërësisht të orkestruara, të fabrikuara dhe të gatuara”, pasi dështoi që të ndikonte që artikujt në fjalë të zhdukeshin – qëllim ky që nuk e arriti.  

Përkundër që Sinjali nuk e ka publikuar korrespodencën e plotë, duke e kursyer z.Bytyqin për shkak të familjes, ai vendosi që të lëshojë akuza të paqena.

Z.Bytyqi iu shmang të gjitha përgjigjeve që do të duhej t’i jepte, në vend që të ‘vjellë vrerë’.

Pasi çdo formë ishte tërësisht e pamundur, ai doli me një reagim ku përmendi etikën që vet e shkeli me të dy këmbët, për pozitën e tij të dinjitetshme për të cilën veç i dinjitetshëm nuk u tregua, si dhe për “integritetin” që padyshim se shpërfaqet në bisedat e publikuara.  

Z.Bytyqi vendosi që të akuzojë për fabrikim e orkestrim, por nuk dha asnjë përgjigje për provat që dëshmojnë me figurë përfshirjen e tij në këtë rast – e të cilat nuk janë të pakta.

Për faktin se redaksia disponon edhe një numër të madh të provave, Sinjali fton këdo, kurdo dhe në çfarëdo forme që të analizojë e të sjellë ekspertizë për secilën dëshmi, e në veçanti z.Bytyqin, që t’i demantojë.

Meqenëse z.Bytyqi ka shprehur gatishmëri e madje edhe interesim që t’i heq dilemat etike dhe ligjore, e ftojmë të përballet me realitetin dhe t’i ofrojë provat e veta, që demantojnë raportimet e Sinjalit.

Sinjalit nuk i intereson jeta private e z.Bytyqit, por përfshirja e tij në një rast të tillë, duke e ditur se ka pozitë në një institucion që është njëri nga pushtetet më të rëndësishme të shtetit, padyshim se ka interes për publikun.

Për fund, natyrisht se Sinjali shumë shpejt do t’i përgjigjet akuzave të z.Bytyqit me dëshmi konkrete.

/GazetaSinjali/