Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se kanë biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas lirimit të Dejan Pantiq.
Rakiqi tha se Vuçiq kishte thënë që ishte mirë të hiqen barrikadat.
“Pas këtij takimi do të flasim me njerëzit tanë në Kosovë e Metohi. Morëm lajme të rëndësishme për lirimin e Dejan Pantiqit, Nedeljkoviqit dhe personave tjerë të arrestuar. Kemi lexuar për garancitë e BE-së dhe ShBA-ve se s’do të ketë më arrestime të njerëzve tjerë, duke marrë pjesë në protestat paqësore të shkaktuara nga terrori i Kurtit. Kemi marrë garanci të reja nga KFOR-i se nuk do të ketë dislokim të forcave të sigurisë së Kosovës në veri të vendit,” u shpreh ai për TV Pink.
Tutje Rakiq tha se nuk kanë besim tek qeveria Kurti, dhe bënë thirrje presidentit Vuçiq të dëgjojë përfaqësuesit e popullit në barrikada.
“Ne nuk kemi besim në Qeverinë e Kurtit. Mund të them se nuk u besojmë as garancive ndërkombëtare. I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq të dëgjojë përfaqësuesit e popullit në barrikada. Ne do të shkojmë te ai me kërkesa të qarta. Ne i besojmë vetëm atij,” – vazhdoi më tej Rakiq, ish ministër në Qeverinë Kurti.
Më tej, kreu i Listës Serbe u shpreh që serbët e dinë se presidenti Vuçiq ka shumë presion ndërkombëtar.
Ky zhvillim vjen pas deklaratës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian se po bëjnë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe pasi KFOR ka lëshuar një komunikatë ku ka sqaruar se ushtria serbe duhet ta njoftojë KFOR-in nëse do t’ia frohet Kosovës më pak se 1 kilometër dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës në veri mund të vendoset vetëm me miratimin paraprak të KFOR-it.