image Pas vendimit të Apelit, Adem Grabovci nuk ka të drejtë t'i bëjë këto punë

Drejtësi

Pas vendimit të Apelit, Adem Grabovci nuk ka të drejtë t’i bëjë këto punë

news image

Ish-shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, është dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vjet e dy muaj burgim, i cili nuk ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, për rastin e përgjimeve “Pronto”.

Gjykata e shkallës së dytë përmes një kumtesë për media ka njoftuar se Grabovcit i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike për 2 vitet e ardhshme.

“A.G., i është shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje pre 2 viteve. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit te periudhës se verifikimit te dënimit me kusht”, thuhet në komunikatë.

Grabovci po gjykohet për përgjimet e EULEX-it, të cilat dolën për herë të parë në media në vitin 2011. Ai në ato biseda dëgjohej duke biseduar me presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kryparlamentarin, Kadri Veseli dhe figura të tjera politike, kryesisht bashkëpartiakë të tij nga PDK-ja. Me ta, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së bisedonte për punësimin e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme shtetërore, ndërmarrje e agjenci publike.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij u mbyllen në mungesë të provave./Gazeta Sinjali/