Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, do të dalin përpara trupit gjykues të hënën, pasi Gjykata Speciale ishte në pushim dimëror për tri javë.
Seancat do të rikthehen në orarin e tyre të rregullt, nga e hëna në të enjten, me fillim nga ora 09:00.
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.
Ky vendim është marrë më 6 janar, ndërsa mbrojtja do të ketë mundësinë t’i marrë në pyetje dëshmitarët përkatës. Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, theksoi gjatë konferencës së saj javore se ky vendim është pjesë e një procesi të vazhdueshëm të shqyrtimit të provave.
“Dëshmitë e shkrimtuara do të pranohen dhe mbrojtja do të mund t’i pyet dëshmitarët. Ky është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e gjykimit,” tha Griep, duke shtuar se po ashtu është miratuar që një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës
Në të njëjtën çështje, më 20 dhjetor dhe 6 janar, trupi gjykues gjithashtu ka aprovuar disa kërkesa të Prokurorisë për paraqitjen e provave të tjera materiale dhe dëshmive të tjera shoqëruese. Ndërsa, më 18 dhjetor 2024, mbrojtësit e viktimave kishin kërkuar që një anëtar i familjes së një viktimë që ka ndërruar jetë, të mund të marrë pjesë në emër të saj gjatë procesit gjyqësor.