Pas reagimit të presidentit Thaçi, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka ndryshuar fotografinë e kopertinës në profilin e saj në Facebook, duke e zëvendësuar atë me llogon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kollçakut mbrëmë i kishte reaguar presidenti Thaçi pasi ajo citoi fjalët e një analisti serb, ku mes tjerash thuhej se Albin Kurti nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së.
“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”, shkruante Kollçaku.
Në anën tjetër Thaçi e kishte pyetur se “çfarë krime kishte bërë UÇK-ja”.
“Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së”, thuhej në reagimin e Thaçit.
Lidhur me këtë Kollçaku u arsyetua se nuk ishin fjalët e saj por vetëm citim, duke thënë se nuk po lexohen postimet deri në fund e po keqkuptohen./Gazeta Sinjali/