image Pas një muaji në arrati, bien në pranga të Policisë dy të dyshuarit për rrahjen me thika në Podujevë

Siguri

Pas një muaji në arrati, bien në pranga të Policisë dy të dyshuarit për rrahjen me thika në Podujevë

news image

Pas më shumë se një muaji në arrati, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarit për përleshjen me thika, që ndodhi më 19 qershor, afër një lokali në Podujevë, ku mbeti i therur në qafë një 18-vjeçar, raporton Sinjali.

Siç bëjnë të ditur burimet nga Prokuroria, i dyshuari që ra në prangat e Policisë është E.A., i cili u kap në Prishtinë gjatë ditës së djeshme. Arrestimi i tij pasoi me prangosjen edhe të të dyshuarit tjetër E.Z. Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Në këtë përleshje që eskaloi pas një konflikti verbal kanë qenë të përfshirë gjithsej 4 persona, në mesin e të cilëve edhe i riu që u ther me thikë. Ngjarja dyshohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje e cila daton që pothuajse një vit, për shkak të xhelozisë që kanë pasur palët mes vete.

18-vjeçari që u ther me thikë, atë natë kishte marrë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, e më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Burimet thonë se veprimet hetimore nga Policia dhe Prokuroria janë marrë edhe në bazë të dëshmive të siguruara, gjegjësisht pamjeve nga kamerat e sigurisë të lokalit në afërsi të të cilit ndodhi rasti.

Të dyshuarit e ndaluar do të hetohen për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/