Pas rreth një jave në arrati, Policia ka arritur ta arrestojë një 50-vjeçar që u denoncua nga ish-bashkëshortja e tij për dhunë fizike e psikike. I dyshuari është kapur gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe është shoqëruar në stacion policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ai po dyshohet se më 17 gusht, e kishte ndalur në rrugë pasi e kishte takuar ish-gruan e tij, të cilën e ka sulmuar dhe ia ka marrë telefonin me zor. Sulmit dyshohet se i ka paraprirë një konflikt verbal me sharje e ofendime, duke i shkaktuar kështu viktimës shqetësim të madh.
Ditën kritike ajo e kishte njoftuar Policinë, por i njëjti nuk është kapur deri ditën e djeshme. Pas arrestimit, ai ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.