Pas valës së të nxehtit ekstrem që përfshiu vendin ditëve të fundit, fundjava do të sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave në gjithë territorin e Kosovës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, rënia e temperaturave vjen si pasojë e depërtimit të masave ajrore më të freskëta nga veriu dhe veriperëndimi i kontinentit, të cilat do të ndikojnë në stabilizimin gradual të motit.
Pasi temperaturat maksimale në ditët e fundit shënuan deri 39 gradë celsius, të shtunën dhe të dielën ato nuk pritet të tejkalojnë 30 gradë.
Të shtunën, maksimalet do të arrijnë deri 29 gradë celsius, me mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Të dielën, vranësirat do të jenë më të shpërndara dhe temperaturat do të lëvizin deri në 30 gradë celsius.
Temperaturat minimale gjatë fundjavës do të lëvizin nga 11 deri në 18 gradë celsius.
IHK ka apeluar që qytetarët të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me rrezet e diellit dhe të kujdesen për shëndetin në këto ditë me mot të nxehtë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!