image Pas Bankës Botërore, edhe FMN-ja e heq Kosovën nga lista e shteteve me situatë konflikti

Kosovë

Pas Bankës Botërore, edhe FMN-ja e heq Kosovën nga lista e shteteve me situatë konflikti

news image

Pas Bankës Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vendosur ta largojë Kosovën nga lista e vendeve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS/FCV), duke vlerësuar progresin e arritur në stabilitetin makro-financiar dhe forcimin e institucioneve.

Lajmi është bërë i ditur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë vendim si një sukses të rëndësishëm për vendin.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpreh mirënjohjen e thellë ndaj FMN-së për këtë njohje të rëndësishme të progresit institucional dhe qëndrueshmërisë makro-financiare të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ky zhvillim pason vendimin e ngjashëm të Bankës Botërore, e cila ditë më parë e largoi po ashtu Kosovën nga lista e shteteve në krizë, si shenjë e përparimit të dukshëm në fushat kyçe të qeverisjes dhe zhvillimit.

BQK-ja e ka vlerësuar këtë hap si një moment domethënës që pasqyron progresin e vazhdueshëm të vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.

Në komunikatën zyrtare, BQK rendit disa nga përfitimet që priten për Kosovën pas këtij vendimi: “Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit; Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të vlerësimeve për rrezik financiar; Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; dhe Komplementon vlerësimin e parë të sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit”, thuhet tutje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/