image Pas 3 viteve si ambasador, Hovenier u përshëndet me Kosovën - mesazhet që la në paraqitjet e fundit

Politikë

Pas 3 viteve si ambasador, Hovenier u përshëndet me Kosovën – mesazhet që la në paraqitjet e fundit

news image

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, këtë muaj po e përmbyll mandatin e tij në vend. Ditëve të fundit, ai ka zhvilluar takimet lamtumirëse e aktivitetet e fundit zyrtare në këtë post. Hovenier në këto angazhime la porosinë se SHBA do të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën dhe se dëshiron që Kosovën ta shohë të përparuar.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha të premten Hovenier pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Për këtë të fundit, ai tha se ishte i nderuar që “aktin final” të tij si ambasador në Kosovë ta bëjë duke e nderuar figurën dhe këmbënguljen e tij për të drejtat e njeriut.

“E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”.

Ai tha se gjatë mandatit të tij “së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”.

“Ky dhjetor shënon edhe fundin e shërbimit tim si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Dëshiroj të falënderoj popullin e Kosovës për miqësinë dhe mikpritjen. Ka qenë nder që të shërbej në këtë rol dhe të kontribuoj në përpjekjen e përbashkët mes SHBA-së dhe Kosovës për të avancuar dhe konsoliduar një Kosovë sovrane, demokratike, multietnike dhe të begatshme. Jam krenar që e kemi arritur bashkë”.

Në planin personal, ai tha se gjithmonë do ta kujtonte kremtimin e 4 Korrikut të 2024-ës në Kosovë “kur të gjithë ne refuzuam të lejonim shiun e rrëmbyeshëm të na pamundësonte të festonim dhe të vallëzonim bashkë”.

Hovenier, duke thënë se përparimi i Kosovës ishte i padiskutueshëm që nga pavarësia, ai u shpreh optimist edhe për të ardhmen.

“E le këtë detyrë duke e ditur se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe mezi pres të shoh se çfarë ju populli i Kosovës do të arrini në vitin 2025 dhe më tej”.

/GazetaSinjali/