image Partitë politike gati t'i derdhin milionat për fushatë zgjedhore

Zgjedhjet/ Partitë politike gati t’i derdhin milionat për fushatë zgjedhore

news image

Partitë politike, kryesisht shpenzojnë shuma më të mëdha të parave për fushata zgjedhore sesa norma e përcaktuar me ligj, thonë përfaqësues të shoqërisë civile të cilat monitorojnë proceset dhe fushatat zgjedhore në Kosovë.

Sipas organizatave joqeveritare që monitorojnë aktivitetet zgjedhore, në bazë të një matje që është bërë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, subjektet pjesëmarrëse kanë shpenzuar rreth 4 milionë euro.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet ka kumtuar se subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje nuk mund të shpenzojnë më shumë sesa 0.50 cent për votues, por që kjo vlerë tejkalohet, thotë për Radion Evropa e Lirë, Valmir Ismaili nga organizata Demokraci Plus.

“Me ligj është e përcaktuar që partitë politike të shpenzojnë 0.50 cent për votues, që i bie se mund të shpenzojnë përafërsisht deri në 900 mijë euro gjatë fushatës zgjedhore. Por, subjektet politike shpenzojnë shumë më shumë sesa që ua lejon ligji dhe kjo ndodh për shkak se nuk ka pasur sanksionime në të kaluarën për këtë çështje”, thotë Ismaili.

Ai shton se partitë politike nuk janë aspak transparente në shpenzimet që i bëjnë gjatë fushatës zgjedhore. Në zgjedhjet e kaluara dhe në këto zgjedhje të parakohshme që pritet të mbahen, shton Ismaili, partitë politike praktikojnë edhe shpenzimin e parave nëpër rrjetet sociale. Një formë e tillë e shpenzimeve, thekson ai, nuk raportohen askund.

Për shpenzimin e të gjitha këtyre mjeteve në fushatat zgjedhore, partitë politike, thekson Ismaili, kanë donacione të shumta, por të cilat nuk raportohen se nga cilat biznese apo individë e kanë prejardhjen.

“E keqja në Kosovë është se nuk raportohen shumica e mjeteve financiare që i marrin partitë në ‘të zezën’, do të thotë, nuk raportohen pasi që kanë frikë edhe nga bizneset edhe individët se nëse ata identifikohen që e kanë përkrahur një subjekt politik dhe ai subjekt nuk fiton në të ardhmen, këto biznese dhe individë nuk do të marrin tenderë publik. Kjo rritë financimin në ‘të zezë’ (pa dokumentacion) të partive politike”, thotë ai.

Brenda një viti, partive politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, nga buxheti u ndahen më shumë se 4 milionë euro. Kjo shumë atyre u ndahet mbi bazën e përfaqësimit, përkatësisht të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç këtij burimi financiar, partitë politike kanë edhe burime të tjera të cilat asnjëherë nuk bëhen publike.

“Janë tri mënyra se si partitë politike i sigurojnë fondet. E para është përmes buxhetit të Kosovës, e dyta është përmes kuotave të anëtarësisë që disa parti politike i kanë, dhe e treta që është vështirë të llogaritet e që kalon përmes donacioneve të jashtme që partitë politike i marrin, qoftë nga bizneset, qoftë nga personat fizikë. Kjo është vetëm ajo që është deklaruar nga partitë politike, por ka donacione të jashtme që nuk deklarohen nga partitë politike”, thotë Demhasaj.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, transparenca e partive politike dhe publikimin e financave dhe shpenzimeve, ishte një nga vërejtjet të cilat janë theksuar për të gjitha shtetet aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Muaj më parë, zyra e kryeministrit të Kosovës, pati inicuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të korrupsionit.

Ky projektligj ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, pasi që sipas tyre, nuk siguron transparencë në publikimin e financave dhe shpenzimeve të partive politike.

Pas kundërshtimeve dhe protestave të shoqërisë civile Qeveria e Kosovës mori vendim që të tërheqë nga Kuvendi këtë projektligj.