Lëvizja civile Ura do të votojë për ndryshime në Ligjin për Presidentin, njoftoi sot lideri i asaj partie dhe kryeministër në mandat teknik, Dritan Abazoviq.
Fronti Demokratik (DF) propozoi që në seancën e sotme të Kuvendit të zgjerohet rendi i ditës dhe si pikë të përfshihen ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi. DPS, SDP, SD dhe LP besojnë se ndryshimet e propozuara në ligj paraqesin rrënim të Kushtetutës së Malit të Zi.
Duke komentuar propozimin për ndryshimin e Ligjit për Presidentin, Abazoviq tha se Gjykata Kushtetuese është adresa e vetme relevante për të vërtetuar nëse diçka është kushtetuese.
“Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka pasur mundësi të votojë për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe bashkërisht ta zhbllokojë atë gjykatë, të ketë adresën ku kjo zgjidhje ligjore apo një tjetër mund të kontrollohet”, tha Abazoviq.
Siç raporton Pobjeda nga Podgorica, Abazoviq ka sugjeruar që më 20 nëntor të zgjidhet së paku një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se do të donte që katër të zgjidheshin.
Siç tha ai, kjo do të lejonte të kontrollohej çdo zgjidhje tjetër ligjore dhe më pas ata të mos ishin në një situatë të çuditshme para zgjedhjeve parlamentare.
“Nuk shoh asgjë të kundërshtueshme që kompetencat e Presidentit të Malit të Zi janë saktësuar dhe nuk vijmë deri te kjo, nuk mund të propozojmë mandat, se nuk bëjmë asgjë për ta nxjerrë qeverinë nga mandati teknik”, shtoi Abazoviq.
Opsion tjetër, tha ai, është që të pritet përfundimi i mandatit të presidentit, në mënyrë që kryetari i Kuvendit të marrë të gjitha përgjegjësitë e tij.
Ai theksoi se megjithatë nuk ka kohë për të humbur.
Abazoviq beson se DPS-ja duhet të votojë për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë mënyrë të zhbllokojë procesin, qoftë zgjedhjet apo procesin lidhur me përcaktimin nëse një akt juridik është në përputhje me Kushtetutën.
Ai deklaroi se disa politikanë duan të reduktojnë në një mandat teknik të vetmin institucion që punon me kapacitet të plotë, parlamentin.
“Me përfundimin e atij mandati, ai institucion i vetëm në kapacitet të plotë do të reduktohej në atë se duhet të mbahen zgjedhjet dhe në atë situatë askush nuk do të mund të shpallte rezultatet e atyre zgjedhjeve. Nuk mund ta kuptoj DPS-në dhe logjikën e tyre”, tha Abazoviq.