Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se masat e reja të Qeverisë, për të ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Gjilan, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime, po respektohet, shkruan Gazeta Sinjali.
Zemaj ka shkruar në Facebook se bashkë me Institutin e Shëndetit Publik, po përcjellin situatën epidemiologjike dhe nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve të reja në komunat të tjera, edhe ato do të mbyllen.
“Masat e reja për të ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Gjilan, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime, po respektohet. Falënderoj Policinë e Kosovës për përkushtimin e madh. Në zbatimin e rreptë të masave janë edhe Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale dhe shtabet komunale për zbatimin e Ligjit anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19”, ka shkruar Zemaj.
Tutje, ministri ka bërë thirrje për kujdes, pasi sipas tij, rreziku nga virusi ekziston dhe për shkak të mos përmbushjes së rekomandimeve.
“Bashkë me IKSHPK-në po përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike, bazuar në hartën e rasteve me COVID-19 për 100 mijë banorë, nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve të reja në komunat të tjera, edhe ato do të mbyllen. Ju lus të keni kujdes, rreziku nga virusi ekziston dhe për shkak të mos përmbushjes së rekomandimeve. Bashkë ia dalim”, ka shkruar Zemaj./Gazeta Sinjali/