image Paralajmëron Lajçak: Javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi Kosovë-Serbi

Politikë

Paralajmëron Lajçak: Javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi Kosovë-Serbi

news image

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut mes dy vendeve.

Lajçak nuk specifikoi se çfarë konkretisht. Ai gjithashtu foli për një takim të tretë të mundshëm mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq në Bruksel, para verës, shkruan euronews.

I pyetur rreth dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Lajçak pohoi se ka parë progres në këtë proces.

“Po në fakt është bërë shumë punë dhe ka pasur progres edhe pse kjo nuk ka qenë dhe aq e dukshme por e vërteta është se dy kryenegociatorët po takohen çdo muaj në Bruksel dhe ne po diskutojmë një numër çështjesh konkrete, si implementimi i marrëveshjeve të shkuara – që janë miratuar para disa vitesh por nuk janë implementuar – ne gjithashtu po diskutojmë rreth çështjeve të ditëve të sotme për t’u siguruar që ato të mos kthehen në probleme të mundshme dhe së fundmi ne po punojmë edhe për të ardhmen e marrëveshjes së normalizimit”, ka thënë Lajçak.

Ndërsa i pyetur për çështjen e vizave, Lajçak tha se ka një mendim mjaft të palëkundur, mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave, shumë kohë më parë.

Sipas tij, nuk ka dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit.

Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë“, tha Lajçak.

/GazetaSinjali/