image Paralajmëron Avokati i Popullit: ​Nuk do të ketë tolerancë aty ku shkelet ligji

Sociale

Paralajmëron Avokati i Popullit: ​Nuk do të ketë tolerancë aty ku shkelet ligji

news image

Avokat i Popullit vlerëson se përzgjedhja në pozita të larta shtetërore, qoftë në sistemin e drejtësisë por edhe në ekzekutiv duhet të përmirësohet. Naim Qelaj i cili ka më pak se një muaj që është në krye të këtij institucioni, thotë se kandidimet nuk duhet të bëhen nga persona që mund të ndikojnë në proces. Ndër të tjerash, Qelaj ka folur edhe për të kaluarën e tij politike.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj derisa ka komentuar tërheqjen e Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian nga procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore, deklaron se ndajnë shqetësimet e njëjta në këtë drejtim.

Ai shtoi se qytetarët kanë nevojë ta rrisin besueshmërinë te institucionet ligjvënëse me qëllim që të mos hezitojnë t’i adresojnë shqetësimet e tyre.

“Konsideroj se praktikat e përzgjedhjes dhe rekrutimit në pozita të larta shtetërore, pavarësisht që a janë në gjyqësor apo ekzekutiv, duhet të përmirësohen sepse vetëm kështu ne mund të kontribuojmë fuqizimit të zbatimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe padyshim që ndoshta është njëra prej segmenteve më të rëndësishme sepse përmes këtyre zgjedhjeve po ndikohet në besimin e qytetarëve nëpër institucione… Çështja e të drejtës për kandidim është e drejtë e pamohueshme, duhet ta ketë secili qytetar që i plotëson kushtet ligjore për pozitën që bëhet shpallja, megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm se këto kandidimet të mos bëhen nga persona që mund të ndikojnë në vetë proces”, theksoi Qelaj.

Avokati i sapoemëruar i Popullit thotë se në mandatin e tij 5-vjeçar synon ta rris respektimin e rekomandimeve që dalin nga ky institucion, sidomos nga të atyre që u referohen nivelit lokal.

Për të, rritja e transparencës, llogaridhënies dhe ofrimi i shërbimeve më të mira komunale për qytetarët, janë objektivi kryesor që synon gjatë udhëheqjes së tij.

Duke iu referuar raporteve të nxjerra nga ky institucion, Qelaj thotë se kryesisht institucionet që janë ranguar te niveli i shkeljes së të drejtave të njeriut, janë ai i sigurisë dhe drejtësisë. Prandaj, ai planifikon përfshirje të Avokatit të Popullit në procesin e hartimit të ligjeve.

“Por është inkurajues fakti se viteve të fundit është rritur shumë zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga niveli qendror, ekzekutivi qendror. Diku ka qenë mbi 50 për qind shkalla e realizimit të rekomandimeve që është inkurajues dhe besoj që nëse vazhdon kjo gjendje, ky trend, do kemi përmirësime të dukshme. Në anën tjetër segmenti ku ka pasur ngecje është niveli lokal. Aty kemi vërejtur një moszbatim të rekomandimeve në bazë të raportit, diku te 24 për qind i arritshmërisë së zbatimit….Përmirësimi i qeverisjes lokale dhe mirëqeverisjes është segment shumë me rëndësi dhe të kaluarën, përveç diskutimeve dhe disa tentimeve për ta përmirësuar situatën, nuk është bërë aq shumë. Kështu që në vizionin tim për të ardhmen është sa i përket fuqizimit të demokracisë së brendshme, transparencës dhe llogaridhënies dhe rritjes së cilësisë për shërbime të qytetarëve nga komunat duhet të rritet në nivel”, tha Qelaj për KP.

Naim Qelaj i cili ishte zëvendësministër i Drejtësisë gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, ka për qëllim që mandatin e tij ta përfundojë pa asnjë aferë korruptive dhe pa anime politike, duke e ruajtur pavarësinë e institucionit të Avokatit të Popullit.

Ai madje ka edhe një porosi për të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjin dhe shkelin të drejtat e njeriut.

Ndërkaq, përvojën e tij 2-vjeçare në politikë e konsideron si një përvojë të mirë që do e përdorë në të mirë të institucionit.

“Absolutisht në momentin kur e kam dhënë betimin dhe kur e kam marrë mandatin, për mua ekziston vetëm një qëllim që është që unë këtë mandat ta përfundoj me nder, ta përfundoj pa asnjë aferë korruptive dhe pa asnjë anim politik, duke e ruajtur në tërësi pavarësinë që e ka institucioni dhe vetë Avokati i Popullit, duke provuar që ta ngris edhe më tej nivelin e profesionalizmit, bazuar në parimin që të drejtat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë përparësi me të gjitha ligjet tjera dhe duke u ruajtur dhe duke pasur kujdes që çdo vendim i imi të mos ketë interferim nga jashtë…Synimi im kryesor është ta rris zbatimin e rekomandimeve sepse vetëm ashtu do të vërehet ndikimi i institucionit të Avokatit të Popullit në përmirësim të mirëqenies për qytetarët. Në anën tjetër, unë nuk them që do jem kritikues i madh apo do kursehem nga kritikat. Kritikat do jenë vetëm mbi bazat reale të asaj që unë do gjejë. Faktikisht, institucionet që zbatojnë ligjin duhet të jenë të kujdesshëm sepse nuk do ketë tolerancë aty ku shkelet ligji dhe të drejtat e njeriut. Në çdo rast ku konstatohet një shkelje e tillë do i marrim të gjitha masat ligjore që i kemi në kompetencë dhe mandatin tonë” , theksoi Qelaj.

Avokati i Popullit ndër vite ka pranuar ankesa të shumta për konkurset publike e për këtë, Qelaj paralajmëron hetim të përgjithshëm.

“Duhet ta bëjmë një analizë më të thellë në këtë drejtim sepse konsideroj se në këtë aspekt qytetarët tanë ballafaqohen me probleme të shumta në mosrespektimin e të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës, sidomos vlen të ceket që në sektorin privat, por edhe në sektorin publik, nuk qëndrojnë punët më mirë edhe përkundër avancimit të ligjit ka pasur ankesa të shumta në institucion. Kam arritur të kuptoj se mosrespektimi të institutit të konkursit publik që lidhet drejtpërdrejt me kriteret e përzgjedhjes dhe vlerësimit dhe në anën tjetër me përzgjedhjen e personit që i plotëson ato kritere duke qenë të ndikuar nga jashtë…Ndoshta në këtë drejtim duhet institucioni në të ardhmen të fillojë të bëjë një hetim të përgjithshëm dhe të vjen në një konstatim të përgjithshëm për gjendjen”, theksoi Avokati i Popullit.

Naim Qelaj i cili dikur ishte edhe Koordinator Nacional për Dhunën në Familje, tha se përmes raporteve dhe rekomandimeve që do t’i sjellë institucioni i Avokatit të Popullit do mundohet të ndikojnë që shteti dhe institucionet të respektojnë në përpikëri obligimet që dalin në raport me viktimat e dhunës në familje.

Në garën për Avokat të Popullit kishin qenë Edona Hajrullahu, Naim Qelaj dhe Xhavit Shala, si dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. E ky i fundit ishte tërhequr me arsyetimin se paneli vlerësues kishte treguar mungesë të madhe të transparencës./Gazeta Sinjali/