Disa prindër të nxënësve të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë kanë paralajmëruar se nesër do të mbajnë protestë para kësaj shkolle.
Kjo për shkak se sipas tyre, nxënësit e klasave të katërta në këtë shkollë po e zhvillojnë procesin mësimor në kushte të mjerueshme.
Gazeta Sinjali ka siguruar disa foto që dëshmojnë se në një klasë të kësaj shkolle mungojnë kushtet elementare. Banka të stërvjetëruara, dysheme që lirojnë pluhur, drita dhe mure të shkatërruara, janë vetëm disa nga pamjet brenda shkollës.
Duke parë gjendjen e rëndë, prindërit janë alarmuar gjatë një mbledhje që është mbajtur pasdite në shkollë.
Ata kanë paralajmëruar se mund të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë, nëse nuk gjendet një zgjidhje përmes së cilës do të krijoheshin kushte më të mira për nxënësit.
Prindërit do të mbajnë nesër në orën 12 e 30 një tubim protestues dhe do të kërkojnë takim me drejtoreshën e shkollës “Naim Frashëri”, për të parë nëse ajo ka mundësi që të ofrojë zgjidhje./Gazeta Sinjali/