Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar duke shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e statusit të veteranit të luftës.
OVL e UÇK-së njofton se po lëshohen ende certifikata të statusit të veteranit për ata që nuk janë veteranë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Që nga koha e marrjes së materialeve nga prokuroria, ka pasur dhe ka indikacione nga terreni se janë lëshuar dhe po lëshohen edhe më tutje certifikata të reja të statusit të veteranit”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Organizata e veteranëve i ka ftuar të gjithë që të mos bien pre e manipulimeve.
“Si OVL UÇK, i ftojmë të gjithë që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, dukuri e cila në kohën e fundit është duke u shpeshtuar, sepse kjo është e pakuptimtë në kohën kur jemi në procesin e hetimeve nga prokuroria”, thekson OVL.
Ata kërkojnë nga Zyra e Kryeministrit që ta paranalojë lëshimin e certifikatave të tilla.
“Nga Zyra për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kërkojmë që ta parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave, të cilat edhe ashtu e kanë kompromituar procesit dhe vet statusin e veteranit. Prishtinë, 11 shtator 2019 OVL të UÇK-së”, thuhet në fund të reagimit. /Sinjali