Ish-ministri Saimir Tahiri ka vendosur të reagojë pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ai në një postim në Facebook njofton se do të flasë dhe do të shpjegojë të vërtetën e tij ditën e shtunë. Tahiri fton qytetarët që ta ndjekin në Facebook live në orën 11:30.
“Nesër ne 11.30 shihemi live këtu, për të shpjeguar të vërtetën time, deri në këtë stacion të pare ”, shkruan ai.
Reagimi i parë pas vendimit të Gjykatës
Pas vendimit të gjykatës, Saimir Tahiri tha se as nuk qeshte dhe as nuk qante dot, për vendimin e një dite më parë.
“Çfarë t’ju them? Dy vjet jam trajtuar si pjesë e një grupi kriminal, sot Gjykata thotë që nuk e ke bërë këtë. Meqë kushërinjtë kanë përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. Ca t’ju them unë, zoti ju ruajttë, mos t’ju përdorë njeri emrin. Prisni deri nesër se edhe mua më duhet kohë ta kuptoj këtë që ndodhi. Gjykata tha që nuk je trafikant, nuk je kriminel, por meqë ca kushërinj kanë përdorur emrin tënd dhe ti ishte ministër, ke shpërdoruar detyrën. Duhet të gjej rrugën që të lexoj një vendim të tillë, për mua qesharak. Do ishte shumë më fisnike, ta kishin bërë si burrat, të më kishin dënuar për trafikun, kështu është edhe qesharake”, u shpreh mbrëmë Tahiri.
Duke ironizuar, ai tha se më mirë ta kishin dënuar për trafik droge sesa dënimin që i dhanë, ndërsa theksoi se do ta apelojë vendimin.
“Do ishte shumë më fisnike, ta kishin bërë si burrat, të më kishin dënuar për trafik droge, kështu është edhe qesharake. Sigurisht që do ta apeloj. Isha më i qartë kur hyra. Është njëlloj si të hysh në një provim, të thotë mësuesja shumë mirë je përgatitur, por do marrësh 5. Si t’ia bëj, për të gjithë kushërinjtë idiotë në fis duhet të mbaj përgjegjësi?! Ju falënderoj se për dy vite keni ndjekur procesin e shekullit dhe u katandis kokoshi në thelë”, u shpreh Tahiri.
Ish-ministri u shpreh se ishte më i qartë para se të futej për t’u njohur me vendimin, sesa kur mësoi se ishte dënuar pse disa kushërinj idiotë kishin përmendur emrin e atij.
“Më rezervoni të drejtën ta përtyp një herë këtë estradë që ndodhi. Me sa kuptova, Gjykata më tha që nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por me gjithë ca kushërinj të mi, që kanë përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. As qesh dot, as qaj dot, por nesër po ju ftoj të ndajmë bashkë ca mendime. Ku di unë, m’u duk një gjë e tipit, je i pafajshëm, po s’kemi këllqe të ta themi. Prisni deri nesër, unë nesër do të komunikoj me mediat. Sot, Gjykata më thotë nuk ke bërë trafik droge, nuk ke ndihmuar në trafik droge, por meqë kushërinjtë paskan përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. Kjo është vetëm maja e betejës sime. Prisni deri nesër, edhe mua më duhet kohë ta kuptoj këtë që ndodhi”, tha Tahiri pas vendimit.