image Paralajmërimi i ish-këshilltarit shkencor britanik: COVID-19 do të jetë përgjithmonë rreth nesh, popullsia duhet vaksinuar rregullisht

Botë

Paralajmërimi i ish-këshilltarit shkencor britanik: COVID-19 do të jetë përgjithmonë rreth nesh, popullsia duhet vaksinuar rregullisht

news image

“Koronavirus do të jetë rreth nesh përgjithmonë dhe njerëzit ka të ngjarë të kenë nevojë për vaksinime të rregullta kundër tij”. Kështu është shprehur ish-këshilltari shkencor në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Profesor Mark Walport, anëtar i Grupit Këshillues Shkencor për Emergjencat (Sage), e krahasoi virusin me gripin, duke u shprehur se do të nevojiteshin vaksinime të përsëritura në shkallë globale për ta kontrolluar atë. Gjatë një interviste për BBC Radio 4, Walport theksoi koronavirusi nuk do të ishte “një sëmundje si lia, e cila mund të zhduket nga vaksinimi”.

“Ky është një virus që do të jetë me ne përgjithmonë në një formë ose një tjetër dhe pothuajse me siguri do të kërkojë vaksinime të përsëritura”, tha ai. “Kështu, pak a shumë si gripi, njerëzit do të kenë nevojë për rivaksinim në intervale të rregullta”.

Walport tha se ishte e mundur që virusi të mund të dilte përsëri “jashtë kontrollit”, me numrin e rasteve pozitive në rritje në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, ish-këshilltari shkencor i qeverisë britanike nuk rekomandon kurrsesi një mbyllje të plotë të vendit.

Shkencëtari tha që ishte i shqetësuar për përhapjen e virusit. “Ju mund të shihni çfarë po ndodh në Francë, Spanjë, dhe në Korenë e Jugut, me një rritje të rasteve të të infektuarve. Pra ky virus është mes nesh”, tha më tej ai.

Përmes një përllogaritje, profesori sqaroi se një në pesë persona ishin të infektuar me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar dhe 80% e njerëzve mbetën të ndjeshëm ndaj tij.

“Ky është një ekuilibër i tmerrshëm edhe pse vijojnë përpjekjet për të minimizuar dëmet në jetë njerëzish”, është shprehur Walport. “Njerëzit kanë argumentuar shumë fuqimisht se aplikimi i një mbylljeje të përgjithshme nuk është përgjigjja. Fillimisht duhej të ishte kështu, por tani ne mund të jemi shumë më të qartë në qasjen tonë”.

Sidoqoftë, ish-këshilltari shkencor i qeverisë britanike paralajmëroi se masat drakoniane mund të imponohen nëse virusi del jashtë kontrollit, duke shtuar se kjo do të ishte një “tragjedi e madhe” për shumë njerëz të mbërtheheshin në shtëpitë e tyre.

Komentet e prof. Mark Walport erdhën pasi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se bota do të jetë në gjendje ta frenojë pandeminë brenda dy viteve. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se duheshin dy vjet për ta kapërcyer gripin spanjoll në fillim të shekullit të 20-të, por që përparimet në teknologji mund të lejonin që COVID-19 të ndalohej në një “kohë më të shkurtër”.

“Ne kemi një disavantazh të globalizmit, afërsisë, lidhjes, por një avantazh i teknologjisë më të mirë, kështu që shpresojmë ta përfundojmë këtë pandemi para më pak se dy vitesh. Sigurisht, me më shumë lidhje, virusi ka një shans më të mirë për t’u përhapur. Por, në të njëjtën kohë ne e kemi gjithashtu teknologjinë dhe njohurinë për ta ndaluar atë”, u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë të premten. /Gazeta Sinjali