image Paragjykimet e shoqërisë, ndëshkim i dytë për gratë dhe vajzat e përdhunuara

Sociale

Paragjykimet e shoqërisë, ndëshkim i dytë për gratë dhe vajzat e përdhunuara

news image

Patriarkalizmi, mungesa e llogaridhënies dhe paragjykimet janë disa prej arsyeve që i bën të mbijetuarat të druajnë të denoncojnë përdhunuesit. Këtë vlerësim e dhanë për Zërin e Amerikës disa eksperte të intervistuara me shkas nga jo pak komente ofenduese dhe nxitëse që u publikuan në rrjete sociale pasi u bë publik lajmi për përdhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë.

Gazetari i Zërit të Amerikës, Artan Haraqija ka biseduar me një hulumtuese nga “Human Rights Watch” në Londër dhe me pedagoge të dy universiteteve në Nju Jork të cilat kanë thënë se ndonëse përdhunimet fatkeqësisht ndodhin në gjithë botën, ajo që e bën dallimin nga njëri shtet tek tjetri është frika nga paragjykimet e shoqërisë që këto krime jo rrallë herë mbesin të heshtura.

Pas përdhunimit të të miturës 11 vjeçare nga një grup prej 5 të rinjsh në Prishtinë, në rrjetet sociale u vunë re komente të shumta, një pjesë të papërshtatshme për t’u publikuar, ku fajësohej vetë viktima.
Për të analizuar këtë fenomen Zëri i Amerikës ka biseduar me një sërë ekspertesh.

Fatkeqësisht shohim që fajësimi i grave ndodh shumë shpesh… Pra, në njëfarë mënyre faji i hidhet asaj për përdhunimin, hulumtuese e lartë për çështjet e grave tek organizata “Human Rights Watch në Londër.

Për dy ekspertet tjera, rrënja e problemit është tek patriarkalizmi, apo siç thotë profesore Anila Duro, ideja se burrat janë pronari i trupit të grave dhe fatkeqësisht pranimi i këtij pretendimi edhe nga një pjesë e grave.

“Pra me fjalë të tjera, gratë janë objekte, e meritojnë, gratë e duan këtë. …Kjo është edhe ajo që e nxiti rastin e vajzës në Kosovë. Për këtë ne duhet të shkojmë tek rrënja e problemit dhe ajo është patriarkalizmi , kur mendon se burrat mund të bëjnë çfarë të duan me trupin të gruas”, thotë Profesorja e Drejtësisë, Shkencës së Policisë dhe Departamentit të Administratës së Drejtësisë Penale tek kolegji “John Jay”, Anila Duro.

Ndërkaq profesorja e asociuar tek universiteti “Columbia” Tanya Domi mendon që “në shoqëritë, që janë veçanërisht patriarkale, fatkeqësisht fajësimi i gruas përhapet edhe më shumë nga interneti. Aty shohim shumë bulizëm ndaj grave.”

Zonja Margoles thotë se 1 në 3 gra dhe vajza në botë, gjatë jetës së tyre përjetojnë një formë dhune. Ajo që e bën dallim nga shteti në shtet është nëse gratë dhe vajzat besojnë tek raportimi dhe reagimi i shoqërisë ndaj dhunës së ushtruar.

“Ajo që e bën dallimin nëse një e mbijetuar vendos ta bëj publik dhe ta raportojë rastin është se si ato mendojnë që do të reagojnë njerëzit?”, thotë ajo.

“A do t’ju besojnë atyre, apo do t’i fajësojnë ato si në rastin që përmendët edhe ju në Kosovë.”

Hulumtuesja nga Human Rights Watch thotë se “disa nga rastet mund të ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, si ndikimi fetar, apo kulturor i shoqërisë, se si e trajton dhunën, në veçanti atë seksuale ndaj grave. Nëse gratë shihen nga shoqëria si me më pak vlerë, ose nëse nga ato pritet që ta kontrollojnë seksualitetin e tyre, në ndryshim nga pritshmëria për burrat.”

Ndërkaq, profesore Anila Duro vlerëson se “Dhuna në Kosovë, Shqipëri dhe kudo është më e përhapur se sa shifrat zyrtare pasi jo të gjitha rastet raportohen.”. Ajo e kujton kur vitin e kaluar e ka bërë një studim mbi dhunën në familje me gratë shqiptare në Amerikë, “ato me flisnin edhe për raste përdhunimesh, pa i pyetur unë për këtë. Sa e sa herë gratë përdhunohen nga bashkëshortët e tyre, sepse ata nuk janë të vetëdijshëm se bashkëshortet duhet të pajtohen për marrëdhënien. Ata janë rritur në mënyrë që kur unë them se dua të kryejë marrëdhënie intime, ti duhet të ma plotësosh dëshirën.

Hezitimi i grave dhe vajzave në Kosovë që të denoncojnë rastet e përdhunimeve, sipas profesores amerikane Tanya Domi, konfirmohet me rastin e grave të dhunuara gjatë luftës. Në vitin 2013, kur u hap ky debat, diskutimet e mbajtura në parlamentin e Kosovës u konsideruan si ofenduese për viktimat.

Ekspertet thonë se çështja e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe arsyet pse ato abuzohen pasi guxojnë ta denoncojnë dhunën meriton studim të mëtejshëm, më shumë aktivizëm duke u dhënë përkrahje më të madhe familjeve të viktimave.

/GazetaSinjali/