image Para një viti s'kishte listë të pritjes, tash qytetarët duhet të presin deri vitin tjetër për rezonancë magnetike në QKUK

Shëndetësi

Para një viti s’kishte listë të pritjes, tash qytetarët duhet të presin deri vitin tjetër për rezonancë magnetike në QKUK

news image

Rreth 5 muaj është lista e pritjes për pacientët që duan ta kryejnë rezonancën magnetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.  Nga Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për Sinjalin se lista e pritjes për pacientët ambulantorë për rezonancë magnetike momentalisht ka arritur në mars të vitit 2022.

E në pamundësi për ta marrë këtë shërbim, për shkak të gjendjes shëndetësore, shumë pacientë u drejtohen klinikave private. Kështu ka thënë për Sinjalin një pacient (emër i njohur për redaksinë) që dje ka kryer rezonancën magnetike në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, i cili tha se ka pritur 3 muaj për të marrë këtë shërbim.

Sipas tij shumë pacientë do të dëshironin që këtë shërbim ta merrnin në QKUK, por listat e gjata të pritjes janë të mundimshme edhe për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Unë dje kam kryer rezonancën aty, pas 3 muajve që kam pritur. Sigurisht se është periudhë e gjatë, e sidomos për pacientët në gjendje të rënduar shëndetësore. Të gjithë duam që këto shërbime t’i marrim në spitale publike, në QKUK, por listat e pritjes po e pamundësojnë këtë”, tha ky pacient për Sinjalin.

Drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK, Bujar Gjikolli tha se lista e pritjes pashmangshëm krijohet, duke pasur parasysh se në këtë klinikë janë të instaluara vetëm dy aparate të rezonancës magnetike, ndërkohë që numri i kërkesave për ta kryer këtë shërbim është i madh.

“Lista e pritjes për pacientët ambulantorë për rezonancë magnetike momentalisht ka arritur në mars të vitit 2022 derisa për të hospitalizuar është zero. Klinika e radiologjisë punon paradite dhe pasdite për t’ju përgjigjur kërkesave të popullatës.

Republika e Kosovës në sektorin publik ka vetëm dy aparate të rezonancës magnetike (janë të instaluara në Klinikën e radiologjisë QKUK). Marrë parasysh numrin e kërkesave për këto kontrollime imazherike të avancuara, atëherë pa shmangshëm krijohet lista e pritjes.  Si klinikë kemi arritur të organizohemi të eliminojmë listën e pritjes për pacientët e hospitalizuar derisa për një periudhë edhe për pacientët ambulantorë”, ka thënë ai për Sinjalin.

Gjikolli tutje ka shtuar se për më shumë se një vit kanë punuar edhe në fundjavë, por që në diskutim me SHSKUK-në  të  gjinden forma që të ulet lista e pritjes , shkruan Gazeta Sinjali.

“Klinika e radiologjisë për më shumë se një vit , deri në gusht 2021, ka punuar edhe në fundjavë dhe ka arritur të realizoj 6768 kontrollime me RM vetëm gjatë 6 muajve të parë të 2021 që është më shumë se tërë vitin 2018 para se të aplikojmë principet moderne të menaxhimit në klinikën tonë. Me punë në fundjavë gjithsej janë realizuar mbi 6100 kontrollime. Në diskutim me menaxhmentin e SHSKUK do të gjinden format e angazhimeve shtesë për tu ulur lista e pritjes në muajt në vijim”, tha ai.

Në shtator të vitit të kaluar nuk kishte fare listë të pritjes për ta marrë këtë shërbim. Kështu pati deklaruar drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili kishte njoftuar se është eliminuar lista e pritjes.

/GazetaSinjali/