Në një thirrje të fuqishme për paqe, Papa Leoni XIV ka shprehur shqetësimin e thellë të Vatikanit për përhapjen e konflikteve në shumë pjesë të botës, duke përmendur veçanërisht luftërat në Ukrainë, Iran, Izrael dhe Rripin e Gazës.
Gjatë përshëndetjes drejtuar besimtarëve italofolës në fund të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë u ndal me tone të forta kundër normalizimit të luftës dhe përdorimit të teknologjisë në përshkallëzimin e mizorive.
“Zemra e Kishës është e shqyer nga britmat që ngrihen nga vendet e luftës,” deklaroi Papa, duke theksuar se “nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen e armatimeve të fuqishme dhe të sofistikuara.”.
Ai gjithashtu përmendi fjalët e paraardhësve të tij, duke paralajmëruar për pasojat e rënda që po sjellin konfliktet moderne: “Në luftën e sotme, ku përdoren armë shkencore të çdo lloji, mizoria e saj kërcënon të çojë luftëtarët drejt një barbarie shumë më të madhe se ajo e kohërave të kaluara.”.
“Prandaj, në emër të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare,” shtoi ai, “u përsëris atyre që janë përgjegjës atë që thoshte Papa Françesku: lufta është gjithmonë një disfatë. Dhe me Piun XII: asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën.”, tha tutje ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!