Papa Leo XIV ka deklaruar se do të bëjë tifo për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kupën e Botës 2026, e cila nis për pak ditë dhe pritet të jetë një nga edicionet më të mëdha në historinë e futbollit.
Duke folur për gazetarët gjatë një udhëtimi drejt Spanjës, Papa Leo XIV tha se, si amerikan, do ta mbështesë kombëtaren e vendit të tij gjatë turneut.
“Sigurisht që do të mbështes SHBA-në. Nuk e di sa ndeshje do të mund t’i shoh”, është shprehur ai, sipas raportimeve ndërkombëtare.
Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik, duke u organizuar për herë të parë në tre shtete: Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Në këtë edicion do të marrin pjesë 48 kombëtare, të ndara në 12 grupe, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në 16 qytete pritëse.
Finalja e turneut është planifikuar të luhet në stadiumin “MetLife” në New Jersey.
Papa Leo XIV, me emrin e lindjes Robert Francis Prevost, është papa i parë në histori nga Shtetet e Bashkuara. Ai njihet gjithashtu si dashamirës i sportit, veçanërisht tenisit, dhe është tifoz i ekipit të bejsbollit Chicago White Sox.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!