image Papa i quan “mizori” bombardimet në Gazë, pasi u kritikua nga ministri izraelit

Botë

Papa i quan “mizori” bombardimet në Gazë, pasi u kritikua nga ministri izraelit

news image

Papa Françesku përsëri i ka dënuar bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë të shtunën se kjo nuk është luftë, por “mizori”.

Një ditë më herët, një ministër i Qeverisë izraelite e dënoi papën pse kishte sugjeruar që bashkësia ndërkombëtar duhet të hulumtojë nëse lufta e ushtrisë izraelite përbën gjenocid ndaj popullit palestinez.

Françesku e hapi fjalimin e tij të parvjetshëm për Krishtlindje para kardinalëve të krishterë, duke iu referuar sulmeve ajrore të Izraelit të premten në Gazë, ku mbetën të vdekur të paktën 25 palestinezë.

“Dje, fëmijët u bombarduan. Kjo është mizori. Kjo nuk është luftë. Desha ta them këtë sepse të prekë në zemër”, tha Françesku.

Pape, si lider i Kishës Katolike Romake me 1.4 miliardë anëtarë, zakonisht është i kujdesshëm për të mos mbajtur anë në konflikte, por kohëve të fundit, ai ka qenë më i zëshëm në lidhje me fushatën ushtarake të Izraelit kundër grupit militant palestinez Hamas.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në pjesë të librit të botuara muajin e kaluar, papa tha se disa ekspertë ndërkombëtarë kanë thënë se “ato që po ndodhin në Gazë kanë karakteristikat e një gjenocidi”, raporton REL.

Ministri i Çështjeve të Diasporës i Izraelit, Amichai Chikli, e kritikoi ashpër këto deklarata në një letër të hapur të botuar nga gazeta italiane Il Foglio të premten. Chikli tha se komentet e papës përbënin një “trivializim” të termit gjenocid.

Papa gjithashtu tha të shtunën se ipeshkvi katolik i Jerusalemit, i njohur si patriark, kishte provuar të hynte në Rripin e Gazës të premten për t’i vizituar katolikët atje, por i ishte mohuar hyrja.

/GazetaSinjali/