image Pamjet e rrahjes të së moshuarës që tronditën vendin: Tri infermiere të arrestuara, reagime të ashpra

Siguri

Pamjet e rrahjes të së moshuarës që tronditën vendin: Tri infermiere të arrestuara, reagime të ashpra

news image

Pamjet e rrahjes së të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë kanë tronditur vendin. Dy infermiere e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa një tjetër incizoi pamjet. Tri të dyshuarat kanë përfunduar në pranga të Policisë dhe janë suspenduar, bashkë me një punëtore tjetër që nuk e lajmëroi rastin, raporton Gazeta Sinjali.

Një familjar i të moshuarës, tha para gazetarëve se rasti i cili u bë publik sot, ka ndodhur “para 3-4 ditësh”. Ai tha se e moshuara vuan nga sëmundja e alzheimerit dhe nuk ka mundur t’i tregojë asgjë për rastin vajzës së saj, për të cilën tha se e kishte vizuar nënën “disa herë në javë”.

Infermieret që u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë, si të dyshuara për rastin e tmerrshëm të rrahjes së të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë përveç Aurona Pelajt, janë Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se menaxhmenti i shtëpisë së pleqve duhet të japë llogari për keqtrajtimin e gruas së moshuar. Ajo kërkoi nga qytetarët që të raportojnë tek autoritetet në rast se dyshojnë për keqtrajtim të familjarëve të tyre që gjenden në shtëpi të pleqve.

“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, kërkoi që të përfshirët në këtë rast të dalin para drejtësisë.

“Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkohë raportohet se është arrestuar burri i njërës nga gratë që shihen në pamjet e publikuara ku rrahet brutalisht gruaja e moshuar.

Pamjet që u shpërndanë sot në rrjetet sociale kanë tronditur vendin. Aty shihet se si një nga punonjëset e sulmon gruan e moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.

“Pak jam tu ja hi, qysh di me sill unë.. pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë punonjësja derisa ushtronte dhunë ndaj të moshuarës.

Ndryshe, një sinjalizues i Sinjalit ka bërë të ditur se e moshuara është nëna e dëshmorit, Taulant Nura, i cili është vrarë gjatë luftës në betejën e qytetit të Gjakovës.

/GazetaSinjali/