image Pamje ekskluzive nga vjedhja në xhaminë e Prizrenit, hajni i njohur pa iu trembur syri ‘avulloi’ paratë dhe u zhduk

Siguri

Pamje ekskluzive nga vjedhja në xhaminë e Prizrenit, hajni i njohur pa iu trembur syri ‘avulloi’ paratë dhe u zhduk

news image

Të riut nga Prizreni, Edison Ademajt me histori kriminale të pasur me shumë raste të vjedhjeve shteti siç duket nuk po ia gjen çarën. I arrestuar e liruar për dhjetëra vjedhje, 18-vjeçari nga fshati Zhur po vazhdon të bëjë kërdi nëpër shtëpi, lokale e xhami, në plot qytete të Kosovës, pa iu trembur syri. Rasti i fundit i hapur ndaj tij në Polici, është vjedhja që kreu në xhaminë ‘Sinan Katib’, në Prizren, më 12 qershor, ku ‘avulloi’ 300 euro.

Gazeta Sinjali ka siguruar pamje nga vjedhja që u krye në orët e mesditës, ku shihet se si 18-vjeçari hyn dy herë në xhami, herën e parë e bën ‘terrenin’ gati për ta kryer vjedhjen, e herën e dytë merr paratë dhe largohet.  

Në pamjet e mëposhtme shihet se si i riu fillimisht ka të veshur një xhaketë ngjyrë kafeje dhe hyn në xhami, ku thyen arkën dhe largohet për t’u kthyer pas disa minutave, me veshje tjetër, me ç’rast merr paratë dhe largohet.

Përveç që u kujdes që plani t’i shkojë siç duhet, edhe gjatë kohës sa ishte brenda në xhami, i njëjti dyshohet se ka thyer edhe një pjesë të kamerave, duke tentuar t’i zhduk gjurmët.

Pas këtij rasti, Prokuroria bëri të ditur për Sinjalin se kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, teksa nga Gjykata e konfirmuan se kërkesa është aprovuar.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, pranë Gjykatës Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” nga neni 315, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”

Profilin e hajnit që s’i ka mbushur ende të 20-tat, por ka të kaluar kriminale, mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/