Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një togeri policor. Zyrtari i dyshuar është objekt i hetimit nga IPK nën dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar se togeri i suspenduar është Agron Ademi, mbikëqyrës në Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese në Policinë e Kosovës.
Ademi po dyshohet se i ka ofruar mbrojtje të afërt këngëtarit kosovar Ledri Vula dhe periudhën gjatë së cilës i ka ofruar këto shërbime të sigurisë, i ka shënuar si orë shtesë të punës.
Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive ku Ademi shihet bashkë me Vulën dhe ekipin e tij, teksa e shoqëron dhe e siguron në një qendër tregtare.
Informacionet e para lidhur me këtë rast, IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës përderisa është duke kryer një hetim preliminar me dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës në drejtim të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Nga IPK kanë bërë me dije se në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin, hetuesit pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat në plotni.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.